BALLKANI

Begaj për presidentin Erdoğan: Është mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë në lidhje me takimin Erdoğan-Begaj thuhet se biseda u fokusua në marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe në mundësitë që këto marrëdhënie të thellohen e të forcohen

Fatjon Cuka  | 10.10.2024 - Përdıtësım : 11.10.2024
Begaj për presidentin Erdoğan: Është mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve Foto: Murat Kula/AA

Tiranë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e ka konsideruar presidentin e Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, mik të Shqipërisë dhe shqiptarëve, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë në lidhje me takimin Erdoğan-Begaj thuhet se biseda u fokusua në marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe në mundësitë që këto marrëdhënie të thellohen dhe të forcohen.

“Jam shumë i përkushtuar që të fuqizojmë bashkëpunimin vëllazëror, është u shprehur Presidenti Begaj, një bashkëpunim që sipas tij mbetet prioritet dhe që u dëshmua me solidaritetin e popujve përgjatë situatave të shkaktuara nga tërmetet.

"Konfirmoj se Shqipëria ka një vullnet të fortë për të vijuar me avancimin e marrëdhënieve në çdo fushë të bashkëpunimit dypalësh. Mbajtja e takimit të dytë të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë është mundësi e mirë për të diskutuar në mënyrë më të thellë dhe më konkrete bashkëpunimin dypalësh në fusha, si: siguria, mbrojtja, energjia e rinovueshme, ekonomia dhe tregtia, infrastruktura, turizmi, mjedisi dhe çështje të tjera thelbësore”, është shprehur Begaj.

Gjithashtu thuhet se në takim u theksua rëndësia e bashkëpunimit Shqipëri-Türkiye, kontributi reciprok në organizmat ndërkombëtare, ku dy vendet janë anëtare.

Sipas njoftimit, Begaj e ka falënderuar Presidentin Erdoğan për ndihmën që Türkiye ka dhënë para dhe gjatë procesit të integrimit të Shqipërisë në NATO, për ndihmë në edukimin, trajnimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe për ndihmën ndaj shqiptarëve dhe Kosovës në veçanti.

“Türkiye është ndër partnerët më të mëdhenj tregtarë të Shqipërisë. Investimet turke e bëjnë Türkiyen partnerin e katërt më të madh tregtar të Shqipërisë. Mirëpresim kompanitë turke për të investuar në Shqipëri në sektorë të ndryshëm, si: infrastrukturë, turizëm, energji, teknologji, bujqësi, si dhe në industrinë e prodhimit dhe të përpunimit”, ka theksuar Begaj.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.