BALLKANI

Begaj takon presidenten e Komisionit Evropian

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se në takimin Begaj-Von der Leyen, është diskutuar për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE), si dhe të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor

Fatjon Cuka  | 24.10.2024 - Përdıtësım : 25.10.2024
Begaj takon presidenten e Komisionit Evropian Foto: Presidenca e Shqipërisë

Tiranë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot në një takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se në takimin Begaj-Von der Leyen, është diskutuar për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE), si dhe të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Gjithashtu theksohet se Von der Leyen vlerësoi angazhimin e presidentit Begaj për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si edhe "perspektivën unike që ky integrim ofron për paqtimin, integrimin ekonomik dhe prosperitetin e rajonit".

"Presidenti Begaj përgëzoi Presidenten Von der Leyen për vendosjen e integrimit të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor në BE në krye të përparësive përgjatë mandatit të dytë të saj si Presidente e Komisionit Evropian. Presidenti i Republikës çmoi angazhimin e Presidentes Von der Leyen për të përshpejtuar hapjen e të gjithë kapitujve me Shqipërinë deri në fund të vitit 2025", thuhet në njoftim.

Presidenti Begaj është shprehur se Shqipëria dhe institucionet shqiptare do të përmbyllin në kohë dhe me sukses kapitujt themelorë, duke ecur në këtë mënyrë, sipas tij, më të njëjtin ritëm me aspiratën e shqiptarëve për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.

"Presidenti i Republikës i shprehu mirënjohje Presidentes së Komisionit Evropian për mbështetjen ndaj Shqipërisë në rrugëtimin evropian, teksa nënvizoi edhe rëndësinë e mesazheve në samitin e fundit të Berlinit, si dhe miratimin nga BE-ja të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Presidenti Begaj theksoi në këtë takim se Shqipëria do të vijojë të mbetet një nxitëse e bashkëpunimit rajonal, duke shprehur bindjen e tij se nuk mund të ketë integrim evropian të rajonit pa një integrim ekonomik dhe bashkëpunim proaktiv të vendeve të Ballkanit Perëndimor", thekson njoftimi.

Presidentja e Komisionit Evropian, ka nisur një turne vizitash në vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërkohë ajo sot do të realizojë vizitë në Maqedoni të Veriut.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın