Kulturë, BALLKANI

Bimët mjekësore dhe aromatike, industria që po lulëzon në Shqipëri

Shqipëria ka qindra bimë mjekësore dhe aromatike që rriten kryesisht në zonat malore të vendit, duke u kthyer në një burim të ardhurash për mijëra familje, por nga ana tjetër edhe me një prezencë të këtyre bimëve në tregun botëror të kësaj industrie

Fatjon Cuka  | 11.08.2021 - Përdıtësım : 13.08.2021
Bimët mjekësore dhe aromatike, industria që po lulëzon në Shqipëri Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

FATJON CUKA

Industria e bimëve mjekësore dhe aromatike ka shënuar një trend në rritje vitet e fundit në Shqipëri, duke u kthyer në një burim të ardhurash për mijëra familje, por nga ana tjetër edhe me një prezencë të këtyre bimëve në tregun botëror të kësaj industrie.

Shqipëria ka qindra bimë mjekësore dhe aromatike që rriten kryesisht në zonat malore të vendit, ndërkohë ndër më të njohurat mund të përmendim që nga sherbela, balsami, rigoni, boronica, qershia e egër, livanda, trumza, bima e makthit, e deri tek hithra, ciani, trëndafil i egër dhe shtogu.

Këto lloje bimësh gjejnë përdorim në industrinë farmaceutike, ushqimore dhe kozmetike, ndërsa procesi i përgatitjes së tyre kalon në faza të ndryshme.

Fazat që kalojnë bimët mjekësore deri në shitje apo eksport janë disa, duke filluar nga mbledhja në mal apo në parcela ku kultivohen, tharja në ambiente të posaçme në punishte, seleksionimi i tyre nga mbetjet e panevojshme dhe në fund ambalazhimi në thasë të posaçëm për ruajtjen e tyre.

Aktualisht në Shqipëri veprojnë dhjetëra kompani dhe punishte për grumbullimin dhe përpunimin e këtyre bimëve, ndërsa vlerësohet si një industri që po lulëzon dhe ku po angazhohen mijëra familje gjatë sezonit të mbledhjes dhe përpunimit të tyre, që është kryesisht gjatë verës.

"Jemi të pranishëm në tregun botëror"

Filip Gjoka, kryetar i Shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike të Shqipërisë, i cili prej 30 vitesh angazhohet në këtë industri, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tha se në Shqipëri ka rreth 330 specie të ndryshme të bimëve mjekësore dhe aromatike.

"Ne jemi të pranishëm në tregun botëror, falë dhe vendit tonë të bekuar, pozicionit gjeografik, ku bimët rriten në mënyrë të shkëlqyer. Sot kemi arritur të krijojmë rreth 31 kompani të cilët jemi në tregun e bimëve dhe erëzave, duke krijuar një punësim sezonal dhe stabël për rreth 90 mijë të punësuar të cilët marrin pjesë në këtë treg. Realisht Shqipëria numëron rreth 330 lloje specie të ndryshme që janë të mundshme për eksport dhe që kanë gamë të prodhimit dhe përdorimit në industri dhe në farmaceutikë, por ne jemi tek rreth 186 artikuj me të cilët jemi në eksport", tha Gjoka.

Gjoka theksoi se bimët mjekësore dhe aromatike të Shqipërisë eksportohen në Turqi, në vendet e ndryshme të Evropës, në SHBA ku janë rritur eksportet e kompanisë që ai drejton, si dhe deri në Australi dhe Zelandë të Re.

"Pra bimët mjekësore po na përfaqësojnë denjësisht edhe nga ana diplomatike", shprehet ai.

Sipas tij, nga gama e madhe prej 186 artikujsh që Shqipëria i eksporton ka bimë që fillon shitja me 0,7 euro dhe duke përfunduar tek salepi, i cili është me 60 euro një kilogram.

Gjoka thekson se pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) nuk e ka prekur aspak sektorin e bimëve mjekësore, nisur edhe nga fakti se banorët në zonat malore kanë patur mundësi të bëjnë mbledhjen e tyre.

"Industria jonë edhe në kohë pandemie ka patur një rritje prej 16,5 për qind vitin që kaloi duke shënuar rekordin e eksporteve në 57 milionë dollarë bimë, erëza dhe të ndryshme", u shpreh Gjoka.

"Jemi rritur me këtë punë dhe me bimët e malit"

Mundësia për të ardhura dhe vetëpunësim, si dhe pasioni për natyrën dhe bimët, i shtyn shumë familje në Shqipëri të angazhohen në mbledhjen e bimëve mjekësore, nisur edhe nga fakti që Shqipëria përfaqëson një vend me shumëllojshmëri të lartë të këtyre bimëve.

Imirjon Baleta, një inxhinier pyjesh në profesion, prej rreth 10 vitesh merret me bimët mjekësore dhe aromatike, ndërkohë ai kohët e fundit ka hapur edhe një punishte për grumbullimin dhe përpunimin e tyre në një nga zonat malore në Qarkun e Tiranës, duke angazhuar edhe familjen e tij, por edhe të afërm.

"Jemi rritur me këtë punë, më këto bimë mali. E kemi pa si një mundësi të artë, duke njohur mirë bimët e kemi ngritur si punë. Kam krijuar punishten për të punësuar familjen, të afërmit e mi, pse jo një ndihmesë e madhe edhe për zonën. Kryesisht përdorim disa bimë dhe shtrihemi deri në zonat e Matit, Bulqizës dhe Dibrës. Kryesisht kemi bimë si sherbelë, trumzën, mollën e egër, dëllinjën, fletën e boronicës", shprehet Baleta për AA.

Ai tregon se kryesisht operon me kompanitë shqiptare për shitjen e tyre, kompani që eksportojnë jashtë, ndërkohë që bimët që i grumbullon i dërgon edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në vendet e tjera të Ballkanit, ku shprehet se ka goxha kërkesë për bimët mjekësore, sepse sipas tij janë shumë cilësore.

Përveç grumbullimit të këtyre bimëve që rriten në zonat malore të Shqipërisë, Baleta ka filluar edhe kultivimin e tyre, duke e shikuar si një mundësi që të zgjerojë aktivitetin e tij në këtë sektor.

Shpresa Baleta, bashkëshortja e Imirjonit, tregon se përveç të ardhurave që sigurojnë me mbledhjen e këtyre bimëve, angazhohen me pasion sepse sipas saj dalin edhe në natyrë.

"E bëjmë me shumë dëshirë si punë. Kemi 10 vite që e vazhdojmë dhe normalisht do e vazhdojmë deri sa të mundemi", shprehet ajo.

Sadete Laçi e cila prej dy vitesh merret me përpunimin e bimëve mjekësore tregon se i pëlqen kjo punë prandaj dëshiron që të vazhdoj edhe në të ardhmen.

"Kam dy vjet që merrem me këtë punë. Më pëlqen dhe e bëj me pasion", tregon ajo për AA.

Shqipëria konsiderohet si një vend i pasur me bimët mjekësore dhe aromatike, me një shtrirje pothuajse në të gjithë vendin, ndërsa shikohet si një sektor me potencial zhvillimi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın