Bullgaria kërkon mënyra për të mbrojtur popullsinë e saj e cila është tkurrur për 30 për qind
Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Statistikave Bullgare (NSI), popullsia në vend ishte 8.948.000 në vitin 1985, ndërkohë ajo është ulur me rreth 30 për qind dhe në vitin 2023 pësoi rënie në 6.445.000

Ankara
DZHANAN İSMAİL - Popullsia në Bullgari e cila arriti deri në 9 milionë në vitin 1985, ka qenë në rënie të vazhdueshme gjatë 40 viteve të fundit duke shkuar në 6.4 milionë për shkak të niveleve të ulëta të lindjeve dhe rritjes së emigracionit, ndërkohë që edhe përpjekjet e qeverisë për ta kthyer këtë trend kanë qenë të pasuksesshme, raporton Anadolu.
Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Statistikave Bullgare (NSI), popullsia në vend ishte 8.948.000 në vitin 1985, ndërkohë ajo është ulur me rreth 30 për qind dhe në vitin 2023 pësoi rënie në 6.445.000.
Sipas të dhënave të NSI, në vitin 2023 në vend kanë lindur 57 mijë foshnja dhe kanë humbur jetën 101 mijë persona. Fakti që vdekjet kanë qenë më të mëdha se lindjet në 25 vitet e fundit është shfaqur si faktori më efektiv në rënien e popullsisë së vendit.
Përveç kësaj, migrimi nga Bullgaria drejt vendeve të tjera u përshpejtua pas anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian (BE) në fillim të vitit 2007 dhe ka qenë faktor në humbjen e popullsisë në vitet e fundit.
- Qeveria ka marrë shumë masa për rritjen e popullsisë
Megjithëse Bullgaria mori shumë masa për të reduktuar dhe rikthyer humbjen e popullsisë, ajo nuk mundi të arrinte rezultatin e dëshiruar.
Në këtë kuadër në vitin 2012 nga qeveria u miratua "Strategjia Kombëtare e Përditësuar për Zhvillimin Demografik të Popullsisë" që mbulon periudhën 2012-2030.
Në vitin 2019 u miratua strategjia e cila synon të rrisë përfshirjen e individëve të moshës 55-vjeç e lart në jetën aktive shoqërore.
Në vitet e fundit qeveria ka synuar të inkurajojë kthimin e emigrantëve dhe të zhvillojë politikat e industrializimit dhe strehimit duke shpërndarë më shumë burime në zonat rurale ku popullsia ka shënuar rënie.
Bullgaria që nga vitet 1960 zbaton një sistem të mbështetjes shtetërore për familjet dhe fëmijët, por burimet që janë ndarë për këtë program janë të pamjaftueshme në krahasim me vendet e tjera të BE-së.
- Popullsia mund të bie nën 5 milionë deri në vitin 2050
Prof. dr. Nadezhda Ilieva nga Akademia Bullgare e Shkencave, shpjegoi për gazetarin e AA-së arsyet e rënies së popullsisë në vend dhe masat që mund të merren kundër kësaj dukurie.
Ilieva tha se popullsia e Bullgarisë, e cila është zvogëluar mesatarisht me 84 mijë njerëz në vit në 10 vitet e fundit, parashikohet të bie nën 5 milionë në vitin 2050. Duke deklaruar se rënia e popullsisë është për shkak të lindjeve më të ulëta se vdekshmëria, Ilieva tha se lindshmëria e ulët vërehet jo vetëm në Bullgari, por në të gjithë botën e zhvilluar.
Ajo vuri në dukje se qeveria ka marrë masa të ndryshme për të rritur shkallën e lindshmërisë dhe se Bullgaria ka një nga pushimet më të gjata të lehonisë në botë, me dy vjet por se të gjitha politikat e zbatuara në të gjithë Evropën për të siguruar rritjen e popullsisë në përgjithësi nuk kanë dhënë rezultate të mëdha.
"Rritja e popullsisë në vendet evropiane arrihet duke tërhequr emigrantë nga rajone të tjera", theksoi Ilieva e cila shtoi se "Njerëzit gjithmonë migrojnë në vende ku mund të kenë siguri më të mirë financiare dhe sociale".
Ilieva vuri në dukje se migrimi i jashtëm nga vendi është më i madh se migrimi i brendshëm. "Pas vitit 1989 filloi një valë e madhe migrimi për arsye politike dhe ekonomike. Në vitet 1989-1992 nga Bullgaria u larguan 467 mijë njerëz. Ky numër arriti në 231 mijë njerëz në vitet 1993-2000, në vitet 2001-2010 në 219 mijë njerëz dhe në vitet 2010-2020 në 300 mijë njerëz, që do të thotë se afërsisht 1.2 milion mijë njerëz emigruan nga Bullgaria midis viteve 1989 dhe 2021".
Nga ana tjetër, Ilieva thotë se ka patur rritje të numrit të banorëve të vendosur në vend gjatë viteve të fundit dhe se kjo është për shkak të kthimit të bullgarëve që jetojnë jashtë dhe turqve me origjinë bullgare të ardhur nga Türkiye dhe se urbanizimi është rritur veçanërisht në rajonin Kircaali (Kardzhali), ku jetojnë intensivisht turqit.
Duke theksuar se dendësia e popullsisë është më e ulët në rajonin veriperëndimor të Bullgarisë, Ilieva tha se në vitet e fundit një rënie serioze është vërejtur edhe në rajonin e Rodopit Perëndimor.
Ilieva shtoi se rritja e popullsisë në kryeqytetin Sofje dhe qytetet kryesore Plovdiv, Varna, Burgas, Ruse dhe Stara Zagora vazhdon dhe se ky trend pritet të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.