BALLKANI

Bullgaria shpreh mbështetje për procesin e anëtarësimit të Bosnjë dhe Hercegovinës në BE

Presidenti bullgar Radev u mirëprit në Sarajevë nga kryetari dhe anëtari boshnjak i Këshillit Presidencial të Bosnjë dhe Hercegovinës Denis Beqiroviq, dhe anëtarja serbe Zheljka Cvijanoviq

İsmail Özdemir  | 17.10.2024 - Përdıtësım : 17.10.2024
Bullgaria shpreh mbështetje për procesin e anëtarësimit të Bosnjë dhe Hercegovinës në BE Foto: Elman Omic/AA

Sarajevë

Presidenti bullgar Rumun Radev, i cili vizitoi Bosnjë dhe Hercegovinën, tha se vendi i tij do ta mbështesë Sarajevën në procesin e anëtarësimit të Bashkimit Evropian (BE), raporton Anadolu.

Presidenti bullgar Radev u mirëprit në Sarajevë nga kryetari dhe anëtari boshnjak i Këshillit Presidencial të Bosnjë dhe Hercegovinës Denis Beqiroviq, dhe anëtarja serbe Zheljka Cvijanoviq.

Delegacioni i kryesuar nga Radev dhe delegacionet e Beqiroviqt dhe Cvijanoviqit mbajtën një takim të mbyllur për shtyp.

Duke folur në një konferencë për media pas takimit midis delegacioneve, Radev shprehu ngushëllimet e tij për ata që humbën jetën në katastrofën e përmbytjeve në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe tha që vendi i tij dhe BE-ja janë të gatshëm të ndihmojnë.

Radev deklaroi se kanë biseduar për shumë çështje, të tilla si siguria, kushtet e zhvillimit ekonomik dhe problemet demografike, duke shtuar:

“Unë do të doja të theksoja qartë se siguria dhe stabiliteti i Bosnjës dhe Hercegovinës kanë rëndësi strategjike për sa i përket stabilitetit dhe prosperitetit të gjithë rajonit. Prandaj, theksova se Bullgaria vazhdon të jetë e angazhuar për me vendosmëri ndaj Althea-s (Misionit të Forcës së Paqes të Bashkimit Evropian) në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe se besojmë që ky mision ka rëndësi kyç për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit”.

Radev deklaroi se vendi i tij është i hapur për të mbështetur dhe për të ndarë përvoja me Bosnjë dhe Hercegovinë lidhur me procesin e anëtarësimit në BE.

“Si rezultat i përkeqësimit të situatës së sigurisë dhe ndryshimeve në mjedisin gjeopolitik, është fakt që BE-ja përqendrohet në politikën e integrimit dhe zgjerimit evropian të Ballkanit Perëndimor në një mënyrë shumë më të fuqishme dhe BE-ja e sheh këtë si një mjet i rëndësishëm për mirëqenien, sigurinë dhe stabilitetin. Por reformat që ju duhet të bëni mbeten kyç për këtë proces të zgjerimit dhe kriteri kryesor kur bëhet fjalë për mbështetjen e Bullgarisë për këto procese”, tha presidenti bullgar.


- “Vendosja e lidhjeve të forta me shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s si Bullgaria ka rëndësi strategjike”

Beqiroviq, kreu i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, tha se kanë një marrëdhënie të fortë me Bullgarinë dhe se vizita e Radevit do të përmirësojë më tej këto marrëdhënie.

Duke vënë në dukje se duan të krijojnë lidhje më të forta politike dhe ekonomike me Bullgarinë, Beqiroviq tha:

“Vendosja e lidhjeve të forta e Bosnjë dhe Hercegovinës me shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s si Bullgaria ka një rëndësi strategjike”, tha Beqiroviq, duke njoftuar se gjatë takimit kanë folur për zhvillimin e bashkëpunimit në disa fusha, duke përfshirë, turizmin dhe investimet, ndër të tjera.

“Në këtë drejtim, presidenti Radev sugjeroi që të punojmë së bashku për të lançuar një fluturim të drejtpërdrejtë midis Sarajevës dhe Sofjes, kryeqytetit të Bullgarisë. Unë mendoj se kjo ide është e shkëlqyeshme që do të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve”, shtoi ai.

Ndërkaq, Cvijanoviq deklaroi se janë të vendosur lidhur me anëtarësimin në BE dhe se duan ta realizojnë këtë me përparimin e duhur dhe objektivat afatshkurtra. Ajo falënderoi Bullgarinë për mbështetjen e saj në këtë drejtim.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın