BALLKANI

Dështon mbajtja e takimit të parë të Komisionit të Përbashkët Kosovë-Serbi për Personat e Zhdukur në Bruksel

Emisari i BE-së Lajçak tha se Serbia nuk mori pjesë për shkak “të zhvillimeve në Kosovë”, duke iu referuar aksionit të sotëm për mbylljen e strukturave paralele të Serbisë

Agim Sulaj  | 15.01.2025 - Përdıtësım : 15.01.2025
Dështon mbajtja e takimit të parë të Komisionit të Përbashkët Kosovë-Serbi për Personat e Zhdukur në Bruksel

Prishtinë

Ka dështuar të mbahet në Bruksel takimi i planifikuar i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur i përbërë nga pala kosovare dhe ajo serbe me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), transmeton Anadolu.

Kryetari i Komisionit qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, Andin Hoti, ka akuzuar Serbinë për mosgatishmëri për të bashkëpunuar për personat e zhdukur, pasi kryenegociatori serb i dialogut, Petar Petkoviq, orkestroi dështimin e takimit të parë të këtij komisioni të përbashkët.

“Kryenegociatori i Serbisë ishte i pranishëm në Bruksel, pavarësisht që nuk e kam të qartë çfarë ka kërkuar aty, pasi që takimi ka qenë i paraparë vetëm për çështjen e personave të zhdukur, dhe formati ka qenë me zëvendësues te komisioneve. Prania e Petkoviqit në Bruksel është dëshmia më e qartë se pikërisht ai orkestroi dhe garantoi dështimin e takimit të paraparë, duke e kthyer një proces teknik jetik në një mjet të turpshëm të politizimit dhe obstruksionit”, theksoi Hoti.

Ai tha se arsyetimi i Serbisë për mospjessëmarrje në takim “përveç që banal, është edhe i dëmshëm për procesin e zbardhjes se fatit të personave të zhdukur”, dhe sipas tij, nuk ka të bëjë asgjë me temën e thirrur në Bruksel.

Ndërkohë, delegacioni i Kosovës ka mbajtur takime me përfaqësuesit e BE-së dhe ka parashtruar kërkesat sipas agjendës së parashikuar, gjë të cilën e konfirmoi edhe emisari i BE-së, Miroslav Lajçak.

Lajçak tha se Serbia nuk mori pjesë për shkak “të zhvillimeve në Kosovë”, duke iu referuar aksionit të sotëm për mbylljen e strukturave paralele të Serbisë.

Tutje, Lajçak tha se është takuar ndaras me dy delegacionet dhe tha se Kosova ia ka prezantuar prioritetet mbi këtë çështje.

“Sot patëm në plan të mbajmë mbledhjen e parë të Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në nivel zëvendësish. U takova veçmas me të dyja palët. Kosova prezantoi prioritetet e saj. Serbia ka njoftuar për mospjesëmarrje në një takim të përbashkët për shkak të zhvillimeve në Kosovë”, ka shkruar Lajçak.

Ky takim i planifikuar do të ishte i pari në Bruksel i komisionit të përbashkët të Kosovës dhe Serbisë për të zhdukurit. Ky komision u themelua me synimin e zbatimit të e Deklaratës për Personat e Zhdukur, e cila u dakordua nga Kosova dhe Serbia në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.