Agim Sulaj
11 shtator 2026•Përditësim: 11 shtator 2026
Deputetët e Legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës kanë dështuar sërish ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës, raporton Anadolu.
Megjithatë, nga pesë nënkryetarë të Kuvendit të Kosvoës, deputetët arritën të emërojnë njërin nga nënkryetarët e grupit më të madh parlamentar, Lëvizjes Vetëvendosje.
Me 101 vota për Ardian Gola u emërua nënkryetar i Kuvendit.
Por, pas tij, dështoi të emërohej nënkryetare kandidatja nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, te votimi i së cilës deputetët e LVV-së abstenuan dhe ajo mori vetëm 45 vota.
Deputetët e PDK-së e kanë lëshuar sallën pasi Vetëvendosje nuk ia votoi Vlora Çitakun për nënkryetare të Kuvendit.
Nga dy deputetë të mbetur në sallë të PDK-së, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kërkoi që ta propozojnë një emër tjetër, por, propozimi nuk u dha.
Kryetarja Haxhiu njoftoi se seanca shtyhet dhe për datën e re të saj do të njoftohen mediat në vijim.
Gjatë kësaj jave Kuvendi i Kosovës emëroi Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit të Kosovës, por Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm kur të emërohen edhe pesë nënkryetarët e këtij institucioni.
Konstituimi i Kuvendit do t’i hapte rrugë më pas edhe formimit të Qeverisë së re dhe emërimit të presidentit të ri të vendit, arsye për të cilën vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme në qershor 2026.