BALLKANI

Dhjetë persona konfirmohen të vrarë në masakrën në Cetinje, policia në kërkim të të dyshuarit

“... i dyshuari Aco Martinović u ka marrë jetën të paktën dhjetë personave, dy prej të cilëve janë të mitur nga familja Vuletić. Fëmijët janë të z. Vuletić, i cili gjithashtu u vra në restorantin e të cilit ndodhi ky krim i rëndë”, tha Šaranović

Kemal Zorlak  | 02.01.2025 - Përdıtësım : 02.01.2025
Dhjetë persona konfirmohen të vrarë në masakrën në Cetinje, policia në kërkim të të dyshuarit Foto: Rusmin Radic/AA

Cetinje

Ministri i Punëve të Brendshme i Malit të Zi, Danilo Šaranović, ka bërë të ditur se sipas informacioneve të fundit, të paktën dhjetë persona, përfshirë dy të mitur, janë vrarë pasditen e sotme si pasojë e të shtënave në një restorant në Cetinje, raporton Anadolu.

Në një konferencë për media, Šaranović tha se i dyshuari për vrasjen është Aco Martinović për të cilin policia malazeze ende është në kërkim.

Ai gjithashtu njoftoi se nga të shtënat mbetën të plagosur katër persona të tjerë, dy prej të cilëve iu nënshtruan operacionit dhe ndodhen në terapi intensive.

“Ajo që mund të themi, ajo që na është konfirmuar është se i dyshuari Aco Martinović u ka marrë jetën të paktën dhjetë personave, dy prej të cilëve janë të mitur nga familja Vuletić. Fëmijët janë të z. Vuletić, i cili gjithashtu u vra në restorantin e të cilit ndodhi ky krim i rëndë”, tha Šaranović.

Šaranović apeloi tek qytetarët e Cetinjës që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre derisa Martinović të vihet nën kontroll dhe të parandalohen vepra të tjera penale.

“Besojmë se kjo nuk do të ndodhë, sepse i është ngushtuar hapësira”, theksoi Šaranović, duke shtuar se në terren ka një numër të madh të policëve dhe se i dyshuari është i rrezikshëm dhe i armatosur.

Sonte, Qeveria e Malit të Zi shpalli ditë zie 2, 3 dhe 4 janarin në përgjigje të tragjedisë në Cetinje.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović, tha se është tronditur nga tragjedia në Cetinje, ku u vranë të paktën katër persona dhe shprehu ngushëllimet e tij për familjet dhe miqtë e të vrarëve në masakër.

“Në vend të gëzimit festiv, trishtimi ka rënë mbi kryeqytetin tonë mbretëror dhe në gjithë Malin e zi për shkak të humbjeve të jetëve të pafajshme. Jam i tronditur nga kjo tragjedi që ka mbuluar me errësirë Cetinjën tonë dhe u shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjeve dhe miqve të viktimave”, shkroi presidenti Milatović në platformën sociale X.

Ai gjithashtu u uroi shërim të gjithë të lënduar.

“Mendimet tona sonte janë me familjet që humbën më të dashurit e tyre dhe qytetarët e Cetinjës. I gjithë Mali i Zi ndjen dhe ndan dhimbjen tuaj”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet e viktimave dhe qytetarët e Malit të Zi pas masakrës së sotme në Cetinje, ku mbetën të vrarë disa persona. Ai tha se “me pikëllim, mosbesim dhe keqardhje të thellë” mori lajmin për masakrën në Cetinje.

“Ky akt mizor çmendurie na bën thirrje të gjithëve që të gjejmë forcë dhe të japim të gjithë mbështetjen tonë për ata që kanë humbur të dashurit e tyre, si dhe të vazhdojmë të luftojmë së bashku për një shoqëri në të cilën vlerat më të larta njerëzore mbizotërojnë mbi urrejtjen dhe dhunën”, thuhet në mesazhin e presidentit Vuçiq të publikuar në rrjetet sociale.

Ai i shprehu ngushëllime edhe homologut të tij malazez, Milatoviq, për masakrën e tmerrshme në Cetinje dhe ofroi mbështetje nga Serbia për autoritetet shtetërore të Malit të Zi, si dhe për çdo lloj ndihme.

Kryetarja e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Željka Cvijanović, në një telegram ngushëllimi drejtuar presidentit të Malit të Zi, theksoi se është tronditur thellë nga lajmi për tragjedinë në Cetinje.

Ngushëllime presidentit malazez, Milatović, i ka shprehur edhe anëtari i Kryesisë së Bosnjë e Hercegovinës, Denis Bećirović, kryetari i entitetit Republika Srpska të Bosnjë e Hercegovinës, Milorad Dodik, ministri serb i Punëve të Jashtme, Marko Đurić dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë.

Lidhur me sulmin e armatosur ka dalë më një deklaratë ngushëllimi edhe Ambasada e Türkiyes në Podgoricë, e cila shprehu solidaritet me Malin e Zi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın