BALLKANI

Dogana e Kosovës gjatë vitit 2024 konfiskoi mallra të falsifikuara me vlerë 12,5 milionë euro

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se puna dhe kontributi i artistëve duhet të mos cenohen dhe të vlerësohen nga shoqëria dhe tregu

Agim Sulaj  | 28.04.2025 - Përdıtësım : 28.04.2025
Dogana e Kosovës gjatë vitit 2024 konfiskoi mallra të falsifikuara me vlerë 12,5 milionë euro Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Në Prishtinë është mbajtur konferenca vjetore për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Pronësisë Intelektuale, me temën e vitit 2025 ku fokus është roli i politikave qeveritare në nxitjen e industrisë muzikore dhe mbrojtjen e pronësisë intelektuale, raporton Anadolu.

Në këtë konferencë, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se puna dhe kontributi i artistëve duhet të mos cenohen dhe të vlerësohen nga shoqëria dhe tregu.

Ajo tha se në epokën e teknologjisë dhe globalizimit kur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë rreth 90 për qind të ekonomisë globale, rëndësia e pronësisë intelektuale është më e madhe se kurrë.

Hajdari tha se gjatë katër vjetëve të qeverisjes së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, me përkushtim janë zgjidhur disa raste të shkeljes, përmes Agjencisë për Pronësi Industriale.

"Janë zgjidhur 741 raste të shkeljeve të markave tregtare që ishin në pritje për më shumë se një dekadë. Duke bërë të qartë se vonesat dhe padrejtësitë nuk janë më pjesë e sistemit qeverisës. Janë regjistruar 7.596 objekte të pronësisë industriale, prej tyre 7.455 marka tregtare 101 dizajne industriale dhe 40 patenta, duke reflektuar kështu rritje të besimit dhe efikasitetit tek institucionet tona", theksoi Hajdari.

Përfaqësuesi i Doganës së Kosovës, Driton Azemi tha se Dogana përpos kontrolleve dhe lehtësimit të tregtisë, luan rol të rëndësishëm edhe në të drejtat dhe mbrojtjen e pronësisë intelektuale.

Ai tha se Dogana në këtë drejtim është e angazhuar jo vetëm në luftimin e importit, eksportit, qarkullimit të mallrave të paçertifikuara por edhe në mbrojtjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve nga rreziqet që paraqesin këto mallra, për shëndetin, sigurinë dhe ekonominë.

Azemi theksoi se mallrat e falsifikuara dëmtojnë jo vetëm të drejtat e autorëve por edhe konsumatorëve dhe bizneseve. "Gjatë vitit 2024 Dogana ka iniciuar 805 raste për verifikim të mallrave me dyshim për shkelje të pronësisë intelektuale duke arritur të konfiskojë mbi 272 mijë artikuj të cilët pas verifikimit janë konstatuar si mallra të falsifikuara me një vlerë të përgjithshme prej 12,5 milionë eurove", shtoi ai.

Dita Ndërkombëtare e Pronësisë Intelektuale shënohet çdo vit më 26 prill. Kjo ditë është themeluar nga Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale (WIPO) në vitin 2000 për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e të drejtave të pronësisë intelektuale si patentat, të drejtat e autorit, markat tregtare dhe modelet e dizajnit, në nxitjen e inovacionit dhe krijimtarisë në mbarë botën.

Për vitin 2025, tema e Ditës Ndërkombëtare të Pronësisë Intelektuale është "Ndjeni Rrahjen e IP-së" (Feel the Beat of IP), e cila fokusohet në ndikimin e të drejtave të pronësisë intelektuale në industrinë e muzikës.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.