BALLKANI

Drejtori i UNHCR-së për Evropë thotë se nuk duhet nxituar me ndërprerjen e azilit për sirianët

Drejtori rajonal i UNHCR-së për Evropë, Philippe Leclerc, theksoi se me zhvillimet e fundit në Siri është hapur një mundësi dhe ekziston një shpresë për kthimin në vendlindje të personave të zhvendosur me forcë

Abdula Berisha  | 12.12.2024 - Përdıtësım : 13.12.2024
Drejtori i UNHCR-së për Evropë thotë se nuk duhet nxituar me ndërprerjen e azilit për sirianët Foto: Abdula Berisha / AA

Shkup

Drejtori rajonal i UNHCR-së për Evropë, Philippe Leclerc, tha se nuk duhet të nxitohet për t'i dhënë fund mbrojtjes së përkohshme dhe azilit për qytetarët sirianë, raporton Anadolu.

Leclerc po qëndron në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut me rastin e 30 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët dhe hapjen e Zyrës së UNHCR-së në Shkup në vitin 1994.

Në fjalimin e tij, ai theksoi se me zhvillimet e fundit në Siri është hapur një mundësi dhe ekziston një shpresë për kthimin në vendlindje të personave të zhvendosur me forcë.

Ai theksoi se janë gjithsej 13 milionë qytetarë sirianë që janë zhvendosur me forcë, qoftë brenda Sirisë apo jashtë saj, për të cilët ka shpresë dhe një "rrugë të brishtë" drejt paqes, që do të mundësonte kthimin e tyre gradual.

"Ndonjëherë dëgjojmë për një lloj padurimi nga ana e vendeve evropiane që thonë se mbrojtja e përkohshme duhet të ndërpritet, azili duhet të ndërpritet. Sipas përvojës sonë, e gjithë kjo shkon shumë shpejt. Ajo që është jashtëzakonisht e rëndësishme është se ka shpresë, ne duhet ta shoqërojmë këtë proces për të krijuar kushtet që njerëzit me të vërtetë të vendosin se mund të kthehen në vendin e tyre, të sigurt dhe me dinjitet", tha Leclerc.

Ai shtoi se ky është roli i UNHCR-së, por theksoi se kur bëhet fjalë për situata të ndryshme me refugjatët, nevojitet përkrahja dhe bashkëpunimi i gjithë shoqërisë, përfshirë organizatat e shoqërisë civile dhe sektorin privat.


- "Së bashku punuam për të ruajtur humanizmin"

Në këtë aktivitet e pranishme ishte edhe presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, si dhe ministra, diplomatë dhe përfaqësues të organizatave qeveritare dhe joqeveritare.

Fjalim kishte edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, i cili theksoi se Maqedonia e Veriut njihet si një vend i vogël që megjithatë, përballet me sukses me krizat e refugjatëve.

"Këto tre dekada, bashkëpunimi ynë me UNHCR-në është vënë në provë përmes sfidave të shumta. Pikërisht në ato momente doli në pah forca e partneritetit tonë. Së bashku kemi punuar për të ruajtur humanizmin, dinjitetin dhe solidaritetin, duke ofruar mbrojtje, ndihmë dhe shpresë për mijëra refugjatë, azilkërkues dhe persona të zhvendosur që kanë kërkuar siguri brenda kufijve tanë", tha Mucunski.

Ai vuri në dukje se përpjekjet kombëtare ndër vite kanë synuar reduktimin dhe eliminimin e gjendjes së pashtetësisë në vend, duke shtuar se për këtë, vendi është përmendur si shembull pozitiv nga Komisioneri i Lartë për Refugjatët, Filippo Grandi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın