Dronët "Bayraktar" mbërrijnë në Shqipëri
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, ka njoftuar se dronët "Bayraktar", sipas tij të njohur për efikasitetin dhe teknologjinë e tyre të avancuar, tashmë janë në Shqipëri
Tiranë
Autoritetet shqiptare kanë njoftuar se dronët turq "Bayraktar" TB2 kanë mbërritur në Shqipëri, transmeton Anadolu.
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, në rrjetet sociale ka njoftuar se dronët "Bayraktar", sipas tij të njohur për efikasitetin dhe teknologjinë e tyre të avancuar, tashmë janë në Shqipëri.
"Prej dy ditësh, ka filluar montimi dhe paralelisht po kryhet instalimi i infrastrukturës mbështetëse për operimin dhe kontrollin e tyre (dronëve). Ky zhvillim jo vetëm që rrit aftësitë e mbrojtjes së Shqipërisë, por shërben edhe si dëshmi e angazhimit të vendit për të garantuar sigurinë kombëtare dhe për të përmbushur standardet më të larta të mbrojtjes", ka shkruar Peleshi.
Sipas ministrit Peleshi, kjo arritje, është simbol i dedikimit drejt modernizimit dhe inovacionit në Forcat të Armatosura të Shqipërisë.
Ministri Peleshi ka publikuar edhe disa foto të montimit të dronëve në Shqipëri, ku edhe ai vetë është i pranishëm, ndërkohë nuk është bërë i ditur numri i dronëve.
Ndërkohë, ushtarakët shqiptarë janë trajnuar në Türkiye disa muaj më parë mbi përdorimin e dronëve turq "Bayraktar".
Kujtojmë se në dhjetor të vitit 2022 në Tiranë u nënshkrua kontrata për blerjen nga Shqipëria të flotës së mjeteve ajrore pa pilot "Bayraktar", sipas autoriteteve shqiptare, produkt i Partneritetit Strategjik Shqipëri-Türkiye dhe në kuadër të modernizimit të Forcave të Armatosura shqiptare si anëtare të NATO-s.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.