Emisari i BE-së, Sorensen: Fati i të pagjeturve, prioritet në dialogun Kosovë-Serbi
"Familjet që ende presin të mësojnë për të dashurit e tyre meritojnë qartësi dhe drejtësi", tha Sorensen

Prishtinë
I dërguari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen ka theksuar rëndësinë e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke e cilësuar këtë si "domosdoshmëri humanitare", transmeton Anadolu.
Sorensen nëpërmjet rrjeteve sociale pas një vizite që ka pasur në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ka thënë se çështja e të pagjeturve mbetet prioritet në procesin e dialogut Kosovë-Serbi i cili zhvillohet me lehtësimin e BE-së, në Bruksel.
"Familjet që ende presin të mësojnë për të dashurit e tyre meritojnë qartësi dhe drejtësi. Prandaj, çështja e personave të zhdukur mbetet prioritet për mua në dialog", ka shkruar ai.
Sorensen, i cili këtë javë zhvilloi takime me krerë të institucioneve të larta, në vizitën e parë të tij zyrtare në Kosovë, synon përgatitjen e vazhdimit të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, proces i cili nuk ka pasur zhvillim muajt e fundit.
Sipas Kryqit të Kuq, janë mbi 1.600 persona të pagjetur nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë, shumica prej tyre shqiptarë.