BALLKANI

Falet namazi i xhenazes për 50 viktimat e gjenocidit në Srebrenicë

Sot nga orët e mëngjesit mijëra njerëz mbërritën në Potoçari, ku bënë homazhe për viktimat e gjenocidit të kryer kundër burrave dhe djemve në vitin 1995 në Srebrenicë

Vesna Besic  | 11.07.2022 - Përdıtësım : 12.07.2022
Falet namazi i xhenazes për 50 viktimat e gjenocidit në Srebrenicë Foto: Elman Omic / AA

Potoçari

Në varrezat e Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës - Potoçari, u fal namazi i xhenazes për 50 viktimat e gjenocidit të kryer verën e vitit 1995 në zonën e Srebrenicës, raporton Anadolu Agency (AA).

Mijëra njerëz mbërritën në orët e mëngjesit në Potoçari ku bënë homazhe viktimave të gjenocidit të kryer ndaj burrave dhe djemve në vitin 1995. Këtë vit për herë të parë interpretoi kori i fëmijëve të Srebrenicës, "Inferno e Srebrenicës".

Faljes së namazit të xhenazes në Potoçari i priu reis-ul-ulema i Bashkësisë Islame të BeH, Husein ef. Kavazoviç.

"Në këtë ditë, 11 korrik, të mbledhur në këtë varrezë, ne qëndrojmë para fytyrës tuaj, të vetëdijshëm për peshën e krimit të kryer nga njerëzit e këqij. Pikëllimin dhe dhimbjen tonë për të dashurit tanë ta drejtojmë ty Zoti ynë, që dëgjon gjithçka, sheh dhe di gjithçka. Të lutem na ngushëllo shpirtrat tanë dhe na jep shpresë. Kjo është një ditë trishtimi dhe dhimbjeje të madhe, një ditë në të cilën dëgjohen rënkime, psherëtima dhe lutje nga shpirtrat dhe zemrat tona të pikëlluara. Le të jetë obligimi ynë fetar i plotësuar me kujtimin e përhershëm të kësaj të keqeje planetare që iu bë popullit tonë dhe të na zgjojë forcën dhe vendosmërinë për ta kundërshtuar dhe për ta mposhtur në të ardhmen. Ftojmë fqinjët tanë të bashkohen me ne në këtë, të ndajnë trishtimin me ne dhe dhimbjen e pamasë që ndiejmë. I ftojmë të marrin pjesë së bashku me ne në zbulimin e varreve, në kujtimin e fqinjëve, njerëzve, burrave, grave dhe fëmijëve të vrarë pafajësisht, të cilët i kanë njohur dhe kanë jetuar", ka thënë Kavazoviç.

Të mbijetuarit e Srebrenicës, anëtarët e familjeve të të vrarëve, miqtë dhe fqinjët i bartën në varr arkivolet me eshtrat e viktimave të gjenocidit.

Viktima më e re që do të varroset sot është Salim Mustafiq, i lindur në vitin 1979 në Tokoljaci afër Srebrenicës. Ai ishte 16 vjeç kur u vra në verën e vitit 1995. Eshtrat e tij u zhvarrosën nga varri masiv i Lipjes pranë Zvornikut në vitin 2006.

Përveç Salimit, do të varrosen edhe dy të mitur të tjerë që në momentin e vdekjes ishin vetëm 17 vjeç - Vahid Smajloviq (1978) dhe Elvir Muminoviq (1978).

Viktima më e vjetër që do të varroset sot është Husejin Krdzhiç, i lindur në vitin 1936.

Prehje do të gjejnë edhe binjakët Hasanoviç. Semiri dhe Samiri ishin vetëm 20 vjeç kur u likuiduan. Ata kishin lindur në vitin 1975 në Prohiçi afër Srebrenicës. Eshtrat e tyre u zhvarrosën nga varreza të ndryshme masive të zbuluara në lokalitetet Lipje dhe Kamenicë.

Babë e bir, Hajdin dhe Sead Hukiq, do të varrosen së bashku. Hajdin (Zuhdo) Hukiq në momentin e vdekjes ishte 53-vjeç, ndërsa djali i tij ishte vetëm 21 vjeç kur u vra.

Të gjitha viktimat që do të varrosen sot, me përjashtim të nëntë viktimave që u zhvarrosën nga varri masiv në vendin e Dobro Poljes afër Kalinovikut, i cili u zbulua në qershor 2021, u zhvarrosën nga varret masive që u zbuluan gjatë viteve të mëparshme, disa prej tyre madje në vitin 1997 dhe në vitin 1999 si Lipje, Pilicë, pastaj nga varret e zbuluara në 2001, 2004, 2006 dhe 2011.

Një numër viktimash u zhvarrosën nga varret masive që u gjetën në Kamenicë, në luginën e vdekjes në 2001, 2007 dhe 2008. Eshtrat e disa viktimave u gjetën në dy apo edhe tre varre masive.

Emrat e viktimave të gjenocidit që varrosen sot janë:

Shaban Ademoviq (1953), Sabrija Aljiq (1940), Saban Avdiq (1960), Munib Bektiq (1951), Dzemil Dediq (1962), Mevlid Dudiq (1970), Mustafa Dzananoviq (1960), Kiram Djoziq (1957), Nezir Efendiq (1941), Mevludin Ferhatoviq (1972), Salim Gabejliq (1968), Sead Gojcinoviq (1965), Salko Hadziq (1969), Hajrudin Haliloviq (1968), Salko Haliloviq (1954), Almir Haliloviq (1975), Esnaf Hasanoviq (1969), Samir Hasanoviq (1975), Semir Hasanoviq (1975), Hamdija Hasiq (1965), Sead Hasiq (1963), Sead Hukiq (1974), Sajit Hukiq (1976), Hajdin Hukiq (1942), Mevludin Husiq (1972) , Mustafa Husiq (1974), Smajo Ibrahimoviq (1938), Mehmed Ibrahimoviq (1941), Nesib Ibrahimoviq (1958), Sakib Jahiq (1972), Mehmedalija Jugoviq (1960), Nermin Kaljeviq (1971), Smajil Kariq (1937), Husejin Krdziq (1936), Edhem Merdziq (1949), Mustafa Mesanoviq (1961), Ramiz Mujcinoviq (1955), Suad Mujiq (1966), Elvir Muminoviq (1978), Salim Mustafiq (1979), Muriz Mustafiq (1966), Smajo Nukiq ( 1951) ), Senad Osmanoviq (1975), Ismajil Pila (1952), Rahmo Rahmiq (1952), Mensur Rahmiq (1975), Adil Selimoviq (1936), Salcin Sinanoviq (1938), Vahid Smajloviq (1978) dhe Senahid Seçiq (1956).

Në varrezat e Qendrës Memoriale të Srebrenicës - Potoçari, janë varrosur 6.721 viktima të gjenocidit të kryer nga Ushtria e atëhershme e Republikës Srpska nën komandën e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq kundër boshnjakëve në vitin 1995 në Srebrenicë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.