jeta, BALLKANI

Familja që emigroi nga Kosova në lstanbul vazhdon prej brezash profesionin familjar të orëndreqësit

"Këtë profesion familja jonë e vazhdon prej 110 vitesh dhe ne jemi brezi i tretë i kësaj tradite", thotë Aydın Aydınoğlu, familja e të cilit kishte emigruar nga Kosova drejt Türkiyes në vitin 1963

Enes Taha Ersen  | 05.01.2025 - Përdıtësım : 06.01.2025
Familja që emigroi nga Kosova në lstanbul vazhdon prej brezash profesionin familjar të orëndreqësit

Istanbul

ISTANBUL (AA) - ENES TAHA ERSEN - Aydın Aydınoğlu, familja e të cilit emigroi nga Prishtina e Kosovës në lagjen Samatya të rrethit historik Fatih të Istanbulit në vitin 1963, vazhdon të kryejë si brezi i tretë riparimin e orëve (orëndreqës), i cili është një profesion familjar 110-vjeçar.

Aydınoğlu, i cili jeton në lagjen Beyoğlu të Istanbulit, në një bisedë me Anadolu vlerësoi aventurën e migrimit të familjes së tij, ekzistencën aktuale të emigrantëve kosovarë që jetojnë në Istanbul dhe kontributin e tyre për këtë qytet dhe kulturën e tij.

Duke thënë se profesionin e orëndreqësit e ka mësuar nga gjyshi i tij dhe se këtë profesion e kanë vazhduar edhe pasi gjyshi dhe babai i tij kanë emigruar në Istanbul, Aydınoglu tha: "Ne jemi fëmijët e një familjeje emigrante. Në vitin 1963, ne kemi emigruar në Türkiye nga Prishtina, kryeqyteti i Kosovës".

"Ndërkaq, këtë profesion familja jonë e vazhdon prej 110 vitesh dhe ne jemi brezi i tretë i kësaj tradite", thekson ai.

Mbi arsyen e migrimit nga Kosova në Istanbul, Aydınoğlu shpjegon se në atë kohë ishte e vështirë të jetoje si mysliman në rajon dhe se ata e shihnin Türkiyen si vend i tyre. "Atje ne ishim turq, ndërsa këtu ne jemi shqiptarë. Gjyshja ime nga ana e babait vdiq duke folur turqisht, ajo nuk dinte shqip. Edhe ana e nënës ishte në të njëjtën mënyrë, ata dinin shqip por sepse ata jetonin atje. Ne në fakt jemi me origjinë turke. Në atë periudhë, shumë myslimanë emigruan nga Kosova në Türkiye", tha Aydınoglu.


- "Edhe pse emigrantë, ne jemi ato që kemi mbetur nga osmanlinjtë, jemi nga turqit e vërtetë"

Aydınoğlu shpjegoi se kur kanë ardhur në Istanbul, shumë grupe etnike, ashtu si sot, jetonin së bashku dhe se kryesisht bënin tregti dhe jetonin së bashku me grekët dhe armenët në lagjen ku banonin.

Duke vënë në dukje se profesioni i orëndreqësit në atë kohë bëhej kryesisht nga jomyslimanët, Aydınoglu tha se familjet e tyre shiheshin si "të huaj" dhe "jomyslimanë" për një periudhë sepse ishin emigrantë.

"Në atë kohë, gjyshi dhe babai im shiheshin si të huaj sepse vinin nga jashtë dhe këtë profesion e bënin përgjithësisht të huajt, por kjo është krejtësisht e gabuar. Ne jemi turqit që u rikthyem pas rënies së Perandorisë Osmane", shtoi më tej Aydınoğlu.

Aydınoğlu deklaron se struktura multikulturore e Istanbulit, ashtu si në të kaluarën, ekziston edhe sot, por në atë kohë mbizotëronte një shoqëri më tolerante dhe më respektuese ndaj dallimeve mes njerëzve.

Duke shpjeguar se në ato vite tregtia bëhej me një qasje tregtare tërësisht të bazuar në besim, pavarësisht gjuhës, fesë apo racës, Aydinoglu vazhdon si më poshtë:

"Shiko sot Beyoğlun. Sikur të pyesësh një tregtar (dyqanxhi) këtu 'Më ka ngecur diçka në fyt, a mund të më japësh ujë?', ngrihet e të merr paratë. Kemi humbur vlerat tona njerëzore, ndërgjegjen tonë. Fatkeqësisht, ndodhemi në një periudhë të tillë. Një nga arsyet më të rëndësishme për këtë është struktura dinamike kozmopolite e Istanbulit. Sigurisht, edhe migrimi është faktor i rëndësishëm këtu. Migrimi është një realitet i pashmangshëm. Ashtu sikurse populli ynë migron në Perëndim, edhe vendi ynë është gjithashtu një vend që pranon migrantë, por ne duhet të pranojmë njerëz që mund të integrohen me vlerat tona që të mos preket jeta e askujt".


- "Edhe pse ka transformim digjital, njerëzit ende u drejtohen orëve cilësore"

Sipas tij, profesioni i orëndreqësit ka filluar të ndryshojë me digjitalizimin. Ai thotë se ka rënë interesi për orët mekanike, duke shpjeguar se në të kaluarën, gjyshi dhe babai i tij nuk mund t'i arrinin porositë në kohë, por që sot janë larg këtij intensiteti.

"Në të kaluarën, kishte një periudhë shumë të ngarkuar. Kryesisht gjatë Fitër Bajramit pas Ramazanit, vinin për riparim orët e tryezave. Një vit, ne riparuam 200 orë në prag të Fitër Bajramit. Kishte shumë punë...Ndërsa tani, për shkak të telefonave të rinj, punët kanë rënë goxha", shprehet ai.

Aydınoğlu përmendi se "Rruga Kineastëve (Sinemacılar Sokağı)", ku ndodhet dyqani i tyre, ishte një vend i frekuentuar i aktorëve dhe figurantëve të kinematografisë turke në të kaluarën. "Kjo rrugë ishte Rruga Kineastëve. Çdo mëngjes në rrugën tonë kalonin 100-150 njerëz, figurantë nga filmat e asaj kohe. Kjo rrugë ishte pothuajse gjithmonë e populluar, madje edhe kur në rrugën 'Istiklal' kishte qarkullim makinash".

Duke nënvizuar se interesi për profesionin e orëndreqësit ka rënë, Aydınoğlu i përfundoi fjalët e tij si më poshtë:

"Ne vazhdojmë akoma biznesin tonë me entuziastët e orëve. Profesioni i orëndreqësit sot ndodhet përballë rrezikut të zhdukjes. Edhe pse ka transformim digjital, njerëzit ende u drejtohen orëve cilësore. Njerëzit që përdorin orë të mira na gjejnë dhe ne u ofrojmë shërbim atyre. Mjeshtrit e vjetër kanë gjithmonë punë sepse ne mund të rregullojmë pjesët, mund t'i riparojmë ato që janë të thyera. Nëse ne nuk mundemi t'i bëjmë, transferohet jashtë vendit. Kemi klientë, por nëse transformimi vazhdon me këtë ritëm, do të jetë e vështirë gjetja e një riparuesi të orëve pas 70-80 viteve".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın