Elvır Hodzıc
05 qershor 2026•Përditësim: 05 qershor 2026
Samiti i Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor ka filluar në Tivat të Malit të Zi, i cili për herë të parë është nikoqir i një takimi të liderëve të BE-së dhe vendeve të rajonit në nivelin më të lartë politik, raporton Anadolu.
Samiti mbahet nën sloganin “Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, ndërsa nikoqir është presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq.
Në samit marrin pjesë përfaqësues të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa sipas organizatorëve, në Tivat ndodhen 35 delegacione ndërkombëtare. Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar rreth 20 liderë të vendeve anëtare të BE-së, mes të cilëve presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe të tjerë. Përveç tyre, të pranishëm janë presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në fokus të bisedimeve do të jenë politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian, proceset reformuese në vendet kandidate, përmirësimi i sundimit të ligjit, harmonizimi me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së si dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve bilaterale në rajon.
Pritet që liderët evropianë të konfirmojnë mbështetjen e plotë për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të shqyrtojnë progresin e arritur në procesin e integrimit gradual në BE, përfshirë zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Një nga temat do të jetë edhe forcimi i sigurisë dhe qëndrueshmërisë së rajonit në kontekstin e rrethanave komplekse gjeopolitike si dhe modelet e afrimit me Bashkimin Evropian që po u ofrohen muajt e fundit vendeve kandidate para anëtarësimit të plotë.
Mbajtja e samitit në Mal të Zi vjen në një kohë kur ky vend ka shënuar përparim të rëndësishëm në rrugën evropiane. Bashkimi Evropian së fundmi ka miratuar formimin e një grupi ad hoc për hartimin e draftit të marrëveshjes së anëtarësimit, që konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit.
Samitet e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor mbahen që nga viti 2018 ndërsa takimi në Tivat është samiti i parë i tillë i organizuar në Mal të Zi.