Fillon procesi i votimit nga jashtë Shqipërisë
"Tashmë procesi i votimit nga jashtë konsiderohet i nisur dhe ky është një moment historik për proceset zgjedhore në vendin tonë, ku për herë të parë qytetarët shqiptarë votojnë nga jashtë territorit të Shqipërisë", tha Celibashi

Tiranë
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve i Shqipërisë, Ilirjan Celibashi ka deklaruar se procesi i votimit nga jashtë për zgjedhjet parlamentare konsiderohet i filluar, transmeton Anadolu.
Në një konferencë për mediat nga Parku Olimpik i Tiranës ku po përgatitet dokumentacioni zgjedhor për votuesit nga jashtë, Celibashi ka folur mbi përgatitet dhe realizimin e procesit të votimit për votuesit nga jashtë Shqipërisë.
Celibashi ka konfirmuar se janë dërguar rreth 90 mijë zarfe, që përbëjnë sipas tij 36,3 për qind të numrit total të zgjedhësve të regjistruar nga jashtë.
Sipas njoftimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Shqipërisë (KQZ), Celibashi tha se shtetet me shpërndarjen më të madhe të zarfeve janë Italia, Greqia dhe Gjermania.
Sipas Celibashit ka përfunduar dërgimi i materialeve zgjedhore tek zgjedhësit nga jashtë për disa qarqe të vendit dhe se ka nisur edhe sot dërgimi i zarfeve.
"Janë 111 votues të cilët kanë votuar dhe zarfi me fletën e votimit është në mbërritje për në KQZ. Tashmë procesi i votimit nga jashtë konsiderohet i nisur dhe ky është një moment historik për proceset zgjedhore në vendin tonë, ku për herë të parë qytetarët shqiptarë votojnë nga jashtë territorit të Shqipërisë", tha Celibashi.
Sipas KQZ-së, garantohet siguri 100 për qind në dërgimin dhe kthimin e fletës së votimit.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë, të drejtën e votës e kanë 3.713.761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit, ndër ta 114.642 zgjedhës votojnë për herë të parë.
Nga të dhënat zyrtare të publikuara në uebfaqen e KQZ-së, konfirmohet se numri përfundimtar i votuesve nga jashtë është 245.935.
Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri do të mbahen më 11 maj të këtij viti, ndërkohë KQZ-ja dhe institucione të tjera vazhdojnë përgatitjet për procesin zgjedhor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.