BALLKANI

Gjykata cakton paraburgim prej 30-ditësh ndaj katër serbëve të arrestuar në Kosovë

Pas kontrollimit të veturës nga ana e zyrtarëve policorë, në automjet u gjetën mjetet e mprehta dhe "të njëjtat të pandehurit i kanë mbajtur gjatë vizitës në mënyrë të organizuar në disa nga Manastiret Ortodokse në Republikën e Kosovës”

Agim Sulaj  | 07.04.2025 - Përdıtësım : 09.04.2025
Gjykata cakton paraburgim prej 30-ditësh ndaj katër serbëve të arrestuar në Kosovë

Prishtinë

Gjykata në Kosovë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj katër të pandehurve të nacionalitetit serb nën dyshimin për bashkëkryerje të veprës penale "Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve të ftohta", transmeton Anadolu.

Gjykata Themelore në Gjakovë aprovoi kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke caktuar masën e paraburgimit 30 ditë të pandehurve B.R., N.V., P.K. dhe M.S. të nacionalitetit serb, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve të ftohta”, transmeton Anadolu.

Gjykata tha se të pandehurit ishin ndaluar derisa ishin me qarkullim me veturën e tyre pasi kishin tejkaluar shpejtësinë e lejuar në komunikacion.

“Me datën 5 prill 2025, në Rr. “Gasper Karaqi” në Gjakovë, të pandehurit në bashkëkryerje dhe duke vepruar në kundërshtim me ligjin për armët, posedojnë armë të ftohta, dhe atë një sëpatë, një thikë me këllëf, dhe një thikë sharrë, në atë mënyrë që pas ndalimit nga ana e zyrtarëve policor për shkak se të njëjtit me automjetin e llojit Toyota ngjyrë hiri, i cili drejtohej nga i pandehuri B.R., kishte tejkaluar shpejtësisë në zonën e kufizuar të shpejtësisë dhe pasi ngasësi i veturës gjatë procedimit të rregullt është pyetur nga zyrtarët policor se a posedon diçka ilegale në veturë, i njëjti ishte përgjigjur se nuk ka diçka të jashtëligjshme me vete, ku edhe kishte shprehur dëshirën për kontroll të veturës”, thuhet në njoftim.

Pas kontrollimit të veturës nga ana e zyrtarëve policorë, sipas gjykatës, në automjet u gjetën mjetet e mprehta të lartpërmendura dhe "të njëjtat të pandehurit i kanë mbajtur gjatë vizitës në mënyrë të organizuar në disa nga Manastiret Ortodokse në Republikën e Kosovës”.

Gjatë seancës u tha se dy nga të pandehurit punojnë në organet serbe të sigurisë.

Të pandehurit do të mbahen në paraburgim prej 30-ditësh, që do të llogaritet prej kohës së arrestimit, respektivisht më 5 prill dhe do të zgjasë deri më 5 maj.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.