Gjysmëhëna e Kuqe Turke dërgon ndihma me veshmbathje për personat në nevojë në Maqedoninë e Veriut
Shpërndarja e pakove me ndihma në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Maqedonisë së Veriut, u zhvillua në rrethinën e qytetit të Strumicës, me pjesëmarrjen e ambasadorit turk në Shkup, Fatih Ulusoy

Shkup
Gjysmëhëna e Kuqe Turke ka dërguar ndihma me veshmbathje për personat në nevojë në Maqedoninë e Veriut, raporton Anadolu.
Shpërndarja e pakove me ndihma në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Maqedonisë së Veriut, u zhvillua në rrethinën e qytetit të Strumicës që ndodhet në juglindje të vendit, me pjesëmarrjen e ambasadorit turk në Shkup, Fatih Ulusoy, Sekretarit të Përgjithshëm të Kryqit të Kuq të Maqedonisë së Veriut, Sait Saiti dhe zyrtarë të tjerë.
Në deklaratën e tij, ambasadori Ulusoy tha se Türkiye vazhdon diplomacinë e saj humanitare në Ballkan.
Ai theksoi se Gjysmëhëna e Kuqe Turke i siguroi ndihmë në veshmbathje Kryqit të Kuq të Maqedonisë së Veriut këtë vit dhe se ndihma u shpërnda tek ata që kanë nevojë në Strumicë.
"Gjysmëhëna e Kuqe Turke ka bashkëpunim shumë të mirë me Kryqin e Kuq të Maqedonisë së Veriut. Ne e shohim pasqyrimin e marrëdhënieve miqësore dhe të mira midis dy vendeve edhe në këtë fushë. Në periudhën e ardhshme, ndihma humanitare, ndihma për zhvillim dhe puna e Türkiyes në shumë fusha në Maqedoninë e Veriut do të vazhdojnë përmes organizatave dhe OJQ-ve tona", u shpreh Ulusoy.
Saiti, nga ana e tij, duke informuar se vlera e ndihmës humanitare është afro 143 mijë euro, tha: "Do të doja të shfrytëzoja këtë rast për t'ju falënderuar për ndihmën që morëm nga qeveria turke, e cila nëpërmjet Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut, pra organizatës komunale arritëm të ndihmojmë familjet që kishin nevojë".
Ai shtoi se kjo ndihmë pasqyron bashkëpunimin e përhershëm midis tyre dhe Gjysmëhënës së Kuqe Turke. Saiti tha se ndihma do të ofrohet në shumë qytete të Maqedonisë së Veriut.
Ulusoy dhe Saiti vizituan degën e Kryqit të Kuq të Maqedonisë së Veriut në Strumicë dhe më pas shpërndanë ndihma për ata që kishin nevojë në fshatrat Vasilevë, Bansko dhe Baldovci të Strumicës.