Hasani: Shqipëria mbetet e vendosur për hapjen e të gjithë kapitujve me BE-në në vitin 2025
Ministri Igli Hasani ka pritur në takim Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas

Tiranë
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, ka deklaruar se Shqipëria mbetet e vendosur për hapjen e të gjithë kapitujve në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian në vitin 2025, transmeton Anadolu.
Hasani ka pritur në takim Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.
Në lidhje me takimin, Hasani shkroi në rrjetet sociale se ishte një kënaqësi për të shkëmbyer mendime dhe sipas tij për të rikonfirmuar bashkëpunimin e shkëlqyer mes Shqipërisë dhe BE-së në politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes.
"Shqipëria mbetet e vendosur fort për hapjen e të gjitha kapitujve deri në vitin 2025 dhe përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027. Rruga jonë evropiane është e qartë dhe e palëkundur", ka shkruar Hasani.
Sipas një njoftimi nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, në mjediset e MEPJ-së u lançua edhe sesioni i parë i Dialogut për Sigurinë dhe Mbrojtjen, i cili sipas ministrisë vjen në kuadër të Partneritetit për Siguri dhe Mbrojtje, të nënshkruar në dhjetor 2024, midis Shqipërisë dhe BE-së.
Sipas MEPJ-së, dialogu i sotëm për sigurinë dhe mbrojtjen është i pari në radhën e seancave të ardhshme që do të përcaktojnë se si "Shqipëria dhe BE-ja punojnë së bashku për të trajtuar sfidat e kohës, sfida që kapërcejnë kufijtë dhe kërkojnë zgjidhje kolektive".
Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2014 dhe ka hapur negociatat për disa grup-kapituj.