Agim Sulaj
05 prill 2026•Përditësim: 05 prill 2026
Ushtruesja e detyrës presidente e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe në Rezallë të Komunës së Skenderajt në 27 vjetorin e Rezallës, transmeton Anadolu.
Haxhiu, e cila e mori dje detyrën nga ish-presidentja Vjosa Osmani, tha se para 27 viteve në Rezallë dhe në fshatrat përreth, u kryen masakra të pamëshirshme nga regjimi i Serbisë.

“Më 5 prill të vitit 1999, në Rezallë të Skënderajt dhe në fshatrat përreth u zbatua plani i shfarosjes nga regjimi i Serbisë. Atë ditë, pra më 5 prill të vitit 1999, djem e burra nga mosha 13 vjeç deri në moshën 90 vjeç, u ndanë nga familjet e tyre, u plaçkitën, u nxorën dhunshëm nga shtëpitë e tyre dhe më pas u pushkatuan. Por kjo nuk i mjaftoi regjimit të Serbisë, trupat e tyre i rrëmbyen dhe për trupat e tyre hapën varre masive në Serbi”, tha Haxhiu.
Ajo ka theksuar se qëllimi ishte që t’i fshehin gjurmët e krimit gjenocidal, por gjurmët e krimit nuk do të fshihen kurrë e krimet e Serbisë nuk do të harrohen kurrë.
“Ato do të mbahen mend gjatë e përherë në kujtesën e familjarëve të tyre, por edhe në kujtesën tonë kolektive. Si institucione të Republikës së Kosovës do të angazhohemi, që të ketë drejtësi edhe për Masakrën e Rezallës, por edhe për të gjitha masakrat, vrasjet, dhunimet, shkatërrimet e dëbimet, që Serbia i ka bërë në Kosovë”, ka thënë u.d. Presidentja Haxhiu.
Masakra e Rezallës konsiderohet si një ndër masakrat më të pamëshirshme gjatë luftës në Kosovë. Më 5 prill 1999 nga ushtria dhe policia serbe u ekzekutuan 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth, nga të cilët 44 ishin munduar t’i zhdukin.
Një pjesë e trupave u gjenden në Rudnicë të Rashkës dhe iu dorëzuan familjarëve.