BALLKANI

Ish-kryeministri Berisha paraqitet në SPAK, mbështetësit e tij mblidhen para prokurorisë

Berisha është paraqitur në SPAK për zbatimin e masës së sigurisë detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore pasi dyshohet për korrupsion, ndërsa dhjetëra persona janë mbledhur në mbështetje të tij para ambienteve të prokurorisë

Fatjon Cuka  | 21.04.2025 - Përdıtësım : 21.04.2025
Ish-kryeministri Berisha paraqitet në SPAK, mbështetësit e tij mblidhen para prokurorisë Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe ish-kryeministri Sali Berisha, është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK), në zbatim të masës së sigurisë ndaj tij, raporton Anadolu.

Berisha është paraqitur në SPAK për zbatimin e masës së sigurisë "detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore" pasi dyshohet për korrupsion, ndërsa dhjetëra persona janë mbledhur në mbështetje të tij para ambienteve të prokurorisë.

Në një deklaratë për mediat pas daljes nga prokuroria, Berisha tha se paraqitja e tij në prokurori "shërben si një dëshmi e përbotshme e keqpërdorimit politik të drejtësisë".

"Çështja kundër meje është dëshmi e standardit të dyfishtë të Skapit të partisë që sulmon opozitën pa asnjë fakt, ndërkohë që mbulon një mal të tërë me fakte për vjedhjen dhe korrupsionin qeveritar", u shpreh Berisha.

Më 3 janar 2025 Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GJPAKKO) vendosi masën e sigurisë "detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore" për ish-kryeministrin Berisha, i dyshuar për korrupsion, masë e cila kundërshtohet nga drejtuesit e partisë opozitare, që sipas tyre është e padrejtë.

Mbështetësit e Berishës, deputetë dhe përfaqësues të tjerë të PD-së kundërshtojnë masën ndaj ish-kryeministrit Berisha, pasi sipas tyre është vendosur për qëllime politike.

Edhe muajt e kaluar janë organizuar disa protesta dhe tubime në mbështetje të ish-kryeministrit Berisha dhe për të kundërshtuar masat ndaj tij.

- Çështja ndaj ish-kryeministrit Berisha

Më 20 tetor 2023, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GJKKO) i caktoi Berishës masën "detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore" dhe "ndalim i daljes jashtë shtetit". Sipas autoriteteve, Berisha është i dyshuar për korrupsion, ndërsa për dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezi, ishte caktuar fillimisht masa "arrest me burg" dhe më pas arrest në shtëpi, i cili dyshohet për korrupsion dhe pastrim parash.

Më 12 dhjetor 2023, SPAK i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë ndaj ish-kryeministrit Berisha, kërkesë e cila u miratua nga Kuvendi më 21 dhjetor.

Në seancën e datës 30 dhjetor 2023, GJKKO vendosi masën "arrest në shtëpi" ndaj ish-kryeministrit Berisha dhe më 25 janar 2024 apeli la në fuqi të njëjtën masë të sigurisë.

Më 27 nëntor 2024 GJKKO vendosi heqjen e masës së sigurisë "arrest në shtëpi", ndërkohë më 3 janar 2025 GJPAKKO vendosi masën "detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore".

Objekt i hetimit të këtij procedimi penal, sipas autoriteteve, janë veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të "Klubit të Futbollit Partizani" dhe "Klubit Shumësportesh Partizani" në Tiranë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın