Kantoni Hercegovina-Neretva: 13 persona humbën jetën në Jabllanicë dhe Konjicë, dhjetë mbeten të zhdukur
“Dje është përmendur shifra 16, por pas mbledhjes së të dhënave dhe konsolidimit të situatës në terren është konstatuar se tre trupa janë raportuar dy herë nga shërbime të ndryshme, kështu që tani ajo shifër është korrigjuar në shifrën 13", tha Juka
Sarajevë
Shefi i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun në qeverinë e Kantonit Hercegovina-Naretva, Darko Juka, ka konfirmuar se 13 persona kanë humbur jetën si pasojë e rrëshqitjes së dheut dhe vërshimeve në kanton, raporton Anadolu.
Juka foli në një konferencë për media në selinë e qeverisë së kantonit Hercegovina-Naretva në Mostar, ku ndau informacione të reja për pasojat e fatkeqësisë natyrore në Jabllanicë dhe Konjicë.
“Dje është përmendur shifra 16, të cilën edhe ne e kemi paraqitur, por pas mbledhjes së të dhënave dhe konsolidimit të situatës në terren është konstatuar se tre trupa janë raportuar dy herë nga shërbime të ndryshme, kështu që tani ajo shifër është korrigjuar në shifrën 13, nga të cilët një person ka vdekur në zonën e Konjicës, konkretisht në Fushën Butoroviç. 12 persona humbën jetën në Jabllanicë, kryesisht në Donja Jabllanica. Nga 12 të vdekurit në Jabllanicë, deri më tani janë identifikuar 11, identiteti i një personi nuk dihet dhe figuron si NN dhe supozohet se nuk është banor i Jabllanicës dhe në bashkëpunim me vendasit po mundohemi të identifikojmë viktimat”, tha Juka.
Ai shtoi se aktualisht janë në kërkim të katër personave në Konjicë dhe gjashtë personave në Jabllanicë.
Siç tha ai, për momentin lidhja e komunikacionit në mes të Konjicës dhe Jabllanicës është e kalueshme dhe korridori drejt komunës Prozor-Rama mbetet i bllokuar dhe është i hapur vetëm për shërbimet e kërkim-shpëtimit, gjegjëisht për njësitë intervenuese që marrin pjesë në procesin e shpëtimit.
Juka u bëri thirrje qytetarëve që të mos nisen në rrugën për në Jabllanicë, që të mos shkaktohen ndërprerje shtesë në përpjekjet e kërkim-shpëtimit.
Reshjet e shiut në zonën e komunave Jabllanicë, Konjicë, Kiselljak, Fojnicë dhe Kreshevë natën e së enjtes shkaktuan probleme të mëdha për banorët e atyre komunave të Bosnjë e Hercegovinës.
Administrata Federale e Mbrojtjes Civile tha se për shkak të përmbytjeve të mëdha dhe rrëshqitjeve të dheut, një popullsi e madhe e vendit është në rrezik, me informacione se ka viktima dhe një numër të madh të lënduarve dhe të zhdukurve.
Sipas informacioneve të fundit, tre persona kanë humbur jetën në Fojnicë. Më herët u njoftua se në një shtëpi në Fojnicë ka humbur jetën edhe një grua e moshuar. Gjithashtu, në Gojeviç afër Fojnicës, gjatë ditës së djeshme trupi i një burri është nxjerrë nga një prej veturave të përmbytura.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.