BALLKANI

KFOR-i dhe Ministria e Mbrojtjes nuk e konfirmojnë tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova

“Tërheqja e trupave amerikane të KFOR-it nuk do të bëhet, aq më tepër kur dihet që vendimet e tilla qoftë për vendosje apo tërheqje të trupave nuk bëhen në mënyrë ad-hoc”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes për Anadolu

Agim Sulaj  | 24.02.2025 - Përdıtësım : 24.02.2025
KFOR-i dhe Ministria e Mbrojtjes nuk e konfirmojnë tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova

Kosova

Zyrtarët e NATO-s në kuadër të Misionit të KFOR-it në Kosovë dhe Ministria e Mbrojtjes e Kosovës nuk konfirmojnë se ka diçka zyrtare në informacionet se trupat amerikane do të tërhiqen nga KFOR-i, raporton Anadolu.

Në një përgjigje nga Ministria e Mbrojtjes për Anadolu, thuhet se lajmi i cili është shkruar fillimisht nga gazeta gjermane “Bild” dhe më pas është përhapur nga shumë mediume në Kosovë dhe jashtë saj është dezinformatë.

“Ky lajm i cili është përhapur në disa portale dhe mediume televizive është dezinformatë e nxitur nga aktorët e jashtëm të cilët kanë për qëllim destabilizimin e vendit dhe Ballkanit Perëndimor. Tërheqja e trupave amerikane të KFOR-it nuk do të bëhet, aq më tepër kur dihet që vendimet e tilla qoftë për vendosje apo tërheqje të trupave nuk bëhen në mënyrë ad-hoc”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Tutje, në këtë përgjigje bëhet e qartë se Ministria e Mbrojtjes në vazhdimësi është në koordinim për çdo vendim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Komunikimi me Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s si dhe KFOR-in realizohet në baza javore, andaj përsërisim dhe një herë që nuk do të ketë tërheqje të trupave të trupave amerikane”, shton ministria.

Se trupat amerikane do të mund të largohen nga Kosova nuk e ka konfirmuar edhe një zyrtar i NATO-s në KFOR, i cili në një përgjigje për Anadolu theksoi përkushtimin e SHBA-së ndaj Aleancës dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

“Zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë angazhimin e tyre ndaj Aleancës, duke përfshirë edhe praninë e SHBA-së në Evropë, si dhe nevojën që mbrojtja dhe parandalimi i NATO-s të mbeten të fuqishme. Në këtë kuadër, SHBA-ja ka theksuar gjithashtu pritshmërinë e saj që aleatët e NATO-s të bëjnë më shumë, të investojnë më shumë dhe të prodhojnë më shumë në mbështetje të sigurisë sonë të përbashkët”, thuhet në përgjigje.

Sipas këtij zyrtari, NATO-ja është vazhdimisht në përshtatje me mjedisin në ndryshim dhe “kjo është pjesë e asaj që duhet për të qëndruar e gatshme”.

Tutje, në përgjigje theksohet angazhimi thelbësor i trupave amerikane në kuadër të KFOR-it si dhe angazhimi i palëkundur i KFOR-it për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol thelbësor brenda KFOR-it, përmes kontributit të tyre të gjatë, i cili aktualisht përfshin mbi 600 trupa”, shtoi zyrtari i NATO-s.

Pas negociatave të Rusisë dhe SHBA-së në Riad të Arabisë Saudite gjatë javës së kaluar, sipas gazetës gjermane "Bild", ekziston një shqetësim i madh në shumë pjesë të Evropës për tërheqjen e trupave amerikane nga Evropa, edhe pse presidenti amerikan, Donald Trump, ka përjashtuar një “tërheqje të plotë” nga kontinenti evropian.

“Italia po përgatitet për një tërheqje të mundshme edhe të trupave amerikane nga Kosova. Aleatët evropianë atëherë do të ishin të vetme në Ballkan kundër mikut të Putinit, Aleksandar Vuçiq, dhe ushtrisë së fuqishme serbe”, shkruan gazeta ‘Bild’, duke u bazuar në një zyrtar të sigurisë së Evropës Lindore.

KFOR-i në Kosovë vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, duke bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë - EULEX, sipas roleve të tyre përkatëse si ofrues të sigurisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.