Komisioni Evropian miraton paketën vjetore të zgjerimit, vlerëson progresin e arritur nga vendet e rajonit
Komisioni mirëpret hapjen e negociatave me Shqipërinë për grup-kapitullin themelor në konferencën e dytë ndërqeveritare, ndërsa vëren se Kosova ka shënuar progres në luftën kundër krimit të organizuar
Shkup
Komisioni Evropian ka miratuar paketën vjetore të zgjerimit, duke ofruar një vlerësim të detajuar të progresit të bërë nga vendet e rajonit dhe vendet tjera kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu.
Në artikullin e publikuar nga Komisioni Evropian thuhet se procesi i zgjerimit vazhdon të jetë i bazuar në merita dhe varet nga progresi objektiv i bërë nga secili prej partnerëve
Presidentja e Komisionin Evropioan, Ursula von der Leyen, është shprehur se zgjerimi do të mbetet prioritet kryesor i përbërjes së re të Komisionit.
“Konteksti i tensionuar gjeopolitik e bën më imponues se kurrë nevojën që ne të përfundojmë ribashkimin e kontinentit tonë, nën të njëjtat vlera të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Ne kemi bërë tashmë hapa të mëdhenj gjatë viteve të fundit drejt integrimit të shteteve të reja anëtare", shprehet von der Leyen.
Komisioni mirëpret hapjen e negociatave me Shqipërinë
Kur bëhet fjalë për Shqipërinë, Komisioni mirëpret hapjen e negociatave për grup-kapitullin themelor në konferencën e dytë ndërqeveritare të mbajtur më 15 tetor 2024.
"Është thelbësore që autoritetet të intensifikojnë më tej ritmin e reformave të orientuara nga BE, veçanërisht në sundimin e ligjit, duke konsoliduar historikun e zbatimit të ligjit, në luftimin efektiv të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe promovimin e të drejtave themelore, duke përfshirë lirinë e medias, të drejtat e pronës dhe pakicave", thuhet në njoftim.
Kosova shënon progres në luftën kundër krimit të organizuar
Sa i përket Kosovës, bëhet e ditur se Prishtina zyrtare ka dorëzuar aplikim për anëtarësim në BE në dhjetor 2022.
"Komisioni mbetet i disponueshëm për të përgatitur një Opinion për aplikimin e Kosovës për anëtarësim sapo ta kërkojë Këshilli. Progres është shënuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe mjedisi i biznesit është përmirësuar. Liberalizimi i vizave për Kosovën ka hyrë në fuqi më 1 janar 2024. Kosova duhet të intensifikojë përpjekjet për të forcuar sundimin e ligjit dhe administratën publike dhe për të mbrojtur lirinë e shprehjes", thuhet në njoftim.
Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë me zbatimin e reformave të lidhura me BE-në
Në rastin e Maqedonisë së Veriut, në njoftim thuhet se Shkupi zyrtar duhet të vazhdojë me zbatimin e reformave të lidhura me BE-në, veçanërisht në grup-kapitullin themelor, veçanërisht gjyqësorin, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
"Besimi në sistemin e drejtësisë duhet të forcohet. Seancat e skriningut për të gjashtë grup-kapitujt përfunduan në dhjetor 2023", thuhet në njoftimin e KE-së.
Vlerësohen arritjet e Serbisë, Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi
Komisioni përsërit vlerësimin e tij se Serbia ka përmbushur standardet për hapjen e grup-kapitullit të tretë, Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse, ndërsa në vitin e ardhshëm pritet që Serbia të përshpejtojë punën për zbatimin e reformave të anëtarësimit në BE në të gjitha sferat, me një fokus të veçantë në sundimin e ligjit dhe lirinë e mediave.
Sa i përket Bosnjë e Hercegovinës, thuhet se vendi demonstroi rezultate të prekshme duke përfshirë menaxhimin e migracionit, përafrimin e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së.
Kur bëhet fjalë për Malin e Zi, në njoftim thuhet se konferenca ndërqeveritare, e mbajtur në qershor 2024, konfirmoi se vendi në përgjithësi përmbushi standardet e përkohshme për sundimin e ligjit, duke shtuar se në fushën e sundimit të ligjit dhe gjyqësorit nevojitet përparim i mëtejshëm.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.