Kosovë, 2022-ta shpallet Vit i personave me aftësi të kufizuara
Në Kosovë jetojnë mbi 200 mijë persona me aftësi të kufizuara apo rreth 10 për qind e popullsisë së përgjithshme
Prishtinë
Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit e ka shpallur vitin 2022 – Vit i Personave me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Zyra për Qeverisje të Mirë në bashkëpunim me projektin “Kosova Gjithëpërfshirëse”, i mbështetur nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatuar nga HANDIKOS, Shoqata Kosovare e të Shurdhërve, Shoqata e të Verbërve të Kosovës, Forumi i Aftësisë së Kufizuar, “Threshold” dhe “Disability Partnership Finland”, e shpallën 2022 vit për këtë kategori të qytetarëve me rastin e 3 Dhjetorit - Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara.
Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini tha se institucionet dhe të gjithë dikasteret e ministrive dhe strukturave tjera qeveritare do të punojnë gjatë vitit 2022 në të gjitha specifikat në arsim, shëndetësi, mirëqenie sociale, punësim, qasje dhe parandalim të diskriminimit për këtë kategori.
“Ne si Qeveri e Republikës së Kosovës synojmë që gjatë vitit 2022 të jemi shumë aktiv me të gjitha dikasteret e ministrive në nivel qendror dhe lokal për të realizuar, implementuar të gjitha aktivitetet e parapara në kalendarin për vitin e ardhshëm. Sepse, është një zotim jo vetëm në letër por edhe në aspektin buxhetor, që këto aktivitete janë të realizueshme nga ana e institucioneve”, tha Hajredini.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilja Rexhepi tha se ka kërkuar nga të gjitha ministritë që të punësojnë së paku nga një person në të gjitha institucionet në mënyrë që t’u jepet hapësirë dhe të respektohet ligji.
Rexhepi tha se shpallja e vitit 2022 si vit për personat me aftësi të kufizuara ka për qëllim mobilizimi i burimeve qeveritare për një Kosovë pa pengesa për askënd pa marrë parasysh në gjini, përkatësi kombëtare, gjuhë, prejardhje apo religjion.
“Vizioni i Qeverisë së re ka për qëllim ofrimin e mundësive të barabarta, qasje të barabartë për të gjithë, të jenë aktorë të vërtetë në shoqëri. Kalendari i aktiviteteve për vitin 2022 është me rëndësi për të gjithë ne, ju, Qeverinë dhe institucionet. Kjo kategori e shoqërisë tonë të ndjehet e barabartë, e vlerësuar dhe të gjitha pengesat që i kanë qoftë infrastrukturore dhe diskriminuese në institucione, nuk duhet t’i lejojmë që të ndodhin”, tha Rexhepi.
Në Kosovë jetojnë mbi 200 mijë persona me aftësi të kufizuara apo rreth 10 për qind e popullsisë së përgjithshme.
Të drejtat e kësaj kategorie mbrohen edhe me ligjin për aftësimin dhe riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara, i cili obligon institucionet që të punësojnë një person me nevoja të veçanta në çdo 50 të punësuar. Por, shpesh herë deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë ngritur zërin duke thënë se ky ligj ende nuk ka gjetur zbatim në praktikë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.