Agim Sulaj
31 Mars 2021•Përditësim: 31 Mars 2021
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ndaluar një person me inicialet M.A. për veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç bën të ditur komunikata nga Prokuroria, me këtë rast, i arrestuari dyshohet se ka bërë shkelje në Kodin Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën kur është kryer vepra penale, po ashtu vepër e dënueshme edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
“Prokuroria Speciale njofton se M.A. i nacionalitetit shqiptar, shtetas i Republikës së Serbisë, dyshohet se ka marrë pjesë në masakrën e Izbicës, gjatë luftës në Kosovë”, bën të ditur komunikata.
Prokuroria njofton se i arrestuari, do të paraqitet para gjyqtarit të procedurës paraprake brenda afateve ligjore.
Masakra e Izbicës e cila ndodhi në komunën e Skenderajt, është ndër masakrat më të mëdha në Kosovë gjatë luftës së vitit 1999.
Ushtarë, policë dhe paraushtarakë jugosllavë hynë në fshat natën e 27 marsit 1999 kur filluan granatimet ndërsa një ditë më vonë, më 28 mars, gratë dhe fëmijët u dëbuan për në Shqipëri, më pas i ekzekutuan mbi 150 burra me armë automatike. Pas këtij akti, kishte pasur përpjekje që masakra të fshihej nga “sytë e botës”, por ishin satelitët e Aleancës Veri-Atlantike NATO, ata që nxorën të vërtetën në sipërfaqe, duke u bërë lajm botëror më pas.