Kosovë, digjen tri automjete të tjera me targa "RKS" në veri të vendit
Policia e Kosovës ka njoftuar se në veri të Kosovës është raportuar për djegien edhe të tri automjeteve me targa legale të Republikës së Kosovës - "RKS"

Prishtinë
Policia e Kosovës ka njoftuar se në veri të Kosovës është raportuar për djegien edhe të tri automjeteve me targa legale të Republikës së Kosovës - "RKS", transmeton Anadolu.
Pas rastit të djegies së dy automjeteve vetëm një ditë më parë, më 30 mars, Policia në njoftimin e saj për media bëri të ditur se më 31 mars pas mesnatës u dogjën edhe tri automjete tjera nga persona ende të panjohur duke i shkaktuar dëm viktimave të nacionalitetit serb në veriun e banuar me shumicë serbe në Kosovë.
"Persona të panjohur kanë djegur edhe tri automjete që iu përkasin viktimave të nacionalitetit serb, të cilat kanë qenë të parkuara njëra në rrugën "Kral Milutin" në Zveçan, tjetra në rrugën "Ivo Lola Ribar" në Mitrovicë të Veriut si dhe e treta në rrugën "Vlade Çetkoviq" po ashtu në Mitrovicë të Veriut", thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia njoftoi se sikurse në rastin e parë, edhe në rastin e dytë, pas pranimit të informacioneve, njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes duke angazhuar njësitë kompetente policore, përfshirë forenzikën, të cilat kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.
"Lidhur me rastin, është njoftuar prokurori kompetent, me udhëzim të të cilit janë iniciuar rastet 'zjarrvënie' për procedura të mëtejme hetimore", thuhet në njoftimin e Policisë.
Qeveria e Kosovës ka kërkuar disa herë që automjetet me targa ilegale që kryesisht qarkullojnë në komunat me shumicë serbe në Kosovë të regjistrohen në "RKS", por, një pjesë e serbëve përfshirë edhe zyrtarët e partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe, e kanë kundërshtuar këtë vendim.
Madje, zyrtarët e Listës Serbe kanë dhënë edhe dorëheqje nga institucionet kosovare nga nëntori i vitit 2022 për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për legalizimin e targave ilegale.
Autoritetet kosovare kanë vlerësuar se në pjesën veriore të Kosovës qarkullojnë rreth 10 mijë automjete me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.