Kosovë, hapet parku më i madh i erës në Bajgorë të Mitrovicës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se prodhimi i energjisë nga ky park me erë, do të mbulojë 10 për qind të kapacitetit të instaluar të energjisë në Kosovë
Prishtinë
Në fshatrat Bajgorë dhe Selac të Mitrovicës është përuruar parku i erës “Selac Windpark”, projekt gjermano-izraelit me vlerë prej 169 milionë euro, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në inaugurimin e këtij projekti i cili është investimi më i madh i huaj që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, ka marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në rrjete sociale tha se prodhimi i energjisë nga ky park me erë, me 27 turbina, do të mbulojë 10 për qind të kapacitetit të instaluar të energjisë në Kosovë dhe do të ulë emetimet e dioksidit të karbonit për 247 mijë tonë.
“Me këtë investim Kosova ndërmerr hapin e parë të madh drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe të larmishme të furnizimit me energji të ripërtërishme”, theksoi Kurti duke shtuar se agjenda e gjelbër është një nga prioritetet e qeverisë, para se gjithash për uljen graduale të përdorimit të qymyrit.
Gjatë inaugurimit ministrja e Jashtme gjermane, Baerbock deklaroi se parku i erës “Selac Windpark” është një hap qenësor në rrugën e Kosovës drejt tranzicionit të gjelbër.
Ajo tha se gjithandej Ballkanit Perëndimor ekziston një potencial i madh, akoma i pashfrytëzuar për energji solare dhe me erë.
“Gjermania përmes politikës së saj të re të jashtme për çështje klimatike, është e gatshme të zgjerojë bashkëpunimin me Kosovën në këtë fushë thelbësore: për të përmbushur objektivat e Evropës dhe botës për sa i përket klimës dhe për të ndihmuar në ruajtjen e planetit. Për të furnizuar qëndrueshëm qytetarët me energji dhe rrymë dhe për të përmirësuar sigurinë tone energjetike”, theksoi Baerbock.
Parku i erës është në pronësi dërmuese të kompanisë izraelite "Enlight" me bashkë-investues nga Gjermania dhe Kosova. Kreditë janë ofruar nga Banka Botërore për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Erste Bank (Austri) dhe NLB Bank (Slloveni).
Parku i erës që operon në një lartësi prej rreth 1.900 metra mbi nivelin e detit, përbëhet nga 27 turbina, secila me një kapacitet prej 3,83 megavatë. Kjo e bën parkun prodhuesin më të madh të energjisë ripërtëritëse në Kosovë.
Energjia me erë i shitet operatorit shtetëror të Kosovës KOSTT me një çmim prej 85 euro për megavat për një periudhë 12-vjeçare, çmim ky i vendosur fiks, me ligj.
Parku i erës do të prodhojë 103 megavatë energji për rreth 70 mijë amvisëri kosovare. Turbinat e para kanë filluar prodhimin e energjisë që në tetor të vitit 2021.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.