Agim Sulaj
07 Shkurt 2022•Përditësim: 08 Shkurt 2022
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) të Kosovës i ka ndarë çmimin shkencëtari i vitit 2021 doktoreshës kardiologe Ibadete Bytyçi dhe atë shkencëtarja e re e vitit Fjolla Kaçanikut e cila është doktoreshë në fushën e edukimit, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci, në aktivitetin tradicional të kësaj ministrie tha se po shpërblehen ata të cilët punën e tyre shkencore arrijnë ta plasojnë aty ku zë vend dija, në institucione të larta shkencore ndërkombëtare.
Nagavci tha se çmimet janë ndarë me rekomandimin e Këshillit Shkencor të MASHTI-t.
“Zonja Ibadete Bytyçi është doktoreshë e shkencave mjekësore, kardiolog, anëtare e shumë shoqatave kardiologjike ndërkombëtare. Ka tetë mirënjohje në nivel kombëtar dhe internacional për arritje profesionale shkencore. Ka katër libra të botuar, tre udhërrëfyes vendor dhe një ndërkombëtar. Po ashtu 44 punime shkencore dhe 17 punime si autore e parë. Në konferenca shkencore ndërkombëtare është paraqitur gjithsej me 72 abstrakte prej tyre në 42 si autore e parë”, tha Nagavci.
Ndërkaq, shkencëtarja e re e vitit 2021, Fjolla Kaçaniku u bë e ditur se është doktor në fushën e shkencave të edukimit ndërsa puna e saj shkencore është prezantuar përmes punimeve të saj të paraqitura në databaza të indeksuara në skopus, në kuartalin e dytë dhe të tretë, të njohura ndërkombëtarisht si platformë shumë cilësore.
Ministrja Nagavci më tej tha se shpreson që rastet e të dy shkencëtareve që u shpërblyen të shpërbejnë si inspirim edhe për të rinjtë dhe të rejat tjerë të vendit. Ajo tha se si Kosovë është shumë e nevojshme që rastet e tilla individuale të mira të bëhen sa më të shpeshta.
Nga Këshillit Shkencor i MASHTI-t, bënë me dije se Kosova e ka një ligj për shkencën dhe hulumtimet shkencore, i cili e parasheh normën e ndarjes nga Buxheti i Kosovës për stimulimin dhe përkrahjen e hulumtimeve shkencore në përgjithësi.
Por, u nënvizua se kjo normë, e cila është 0.7 për qind nga buxheti kosovar, është e ulët dhe duhet të bëhen përpjekje që ajo të ngritet me qëllim të stimulimit edhe më të madh të hulumtimeve shkencore në Kosovë.