Kosovë, KQZ certifikon rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit
Komisioni Qendror Zgjedhor shpalosi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën në Kosovë muajin e kaluar

Prishtinë
Përmes një konference për media, Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka shpalosur rezultatet përfundimtare të procesit zgjedhor të parakohshëm që u mbajt në Kosovë më 6 tetor, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, NISMA Socialdemokrate ka kaluar pragun. Daka tha se “Lëvizja Vetëvendosje ka 26,270 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka 24,548 për qind, Partia Demokratike e Kosovës 21,234 për qind, koalicioni AAK-PSD ka 11,515 për qind, Lista Serbe 6,402 për qind dhe koalicioni NISMA-AKR-PD 5,002 për qind”.
Kryetarja e KQZ-së në këtë konferencë e ka treguar edhe numrin e deputetëve që kanë siguruar partitë politike në zgjedhjet e 6 tetorit.
“Në bazë të rezultateve të subjekteve politike, Vetëvendosje ka 29 ulëse, LDK ka 28 ulëse, PDK ka 24 ulëse, koalicioni AAK-PSD ka 13 ulëse, Lista Serbe ka 10 ulëse, koalicioni NISMA-AKR-PD ka 6 ulëse”, deklaroi Daka.
Më tej, Daka theksoi se në këtë proces zgjedhor janë regjistruar një milion e 961 e 213 votues.
Prej këtyre votave, sipas të dhënave që ka shpalosur Daka, kanë votuar mbi 826 mijë votues. Po ashtu, Daka njoftoi se në këto zgjedhje kanë qenë rreth 20 mijë fletëvotime të pavlefshme.
Më 22 nëntor, kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti u takua me kreun e LDK-së, Isa Mustafa, ku pas takimit që të dy konfirmuan se pas certifikimit të rezultateve nga KQZ, do të takohen ta përmbyllin marrëveshjen për koalicion qeverisës.