Politikë, BALLKANI

Kosovë, KQZ publikon rezultatet e zgjedhjet lokale në katër komunat në veri

Prej gjithsej 45.095 qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat e veriut, vetëm 3,47 për qind e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votimit

Agim Sulaj  | 23.04.2023 - Përdıtësım : 24.04.2023
Kosovë, KQZ publikon rezultatet e zgjedhjet lokale në katër komunat në veri Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar rezultatet preliminare për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, raporton Anadolu.

Prej gjithsej 45.095 qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat e veriut, vetëm 3,47 për qind e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votimit.

Sipas të dhënave të KQZ-së, në Mitrovicën e Veriut votuan gjithsej 837 qytetarë apo 4,62 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, në Leposaviq votuan 141 votues apo 1,06 për qind, në Zubin-Potok 385 votues apo 5,78 për qind dhe në Zveçan 204 qytetarë apo 2,92 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ-ja, Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë fituar nga dy komuna.

VV-ja do të udhëheqë në Mitrovicën e Veriut me kandidatin e saj, Erden Atiq, i cili fitoi 519 vota apo 66,5 për qind të votave, ndërsa pas tij janë renditur kandidati i PDK-së, Taulant Kelmendi, që mori 186 vota apo 23,8 për qind dhe Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica me 75 vota apo 9,6 për qind.

Edhe në Leposaviq, kandidati i VV-së për kryetar, Lulzim Hetemi mori 100 vota apo 73,5 për qind, ndërsa Albulena Behluli-Hetemi e PDK-së pati 34 vota apo 25 për qind.

Sipas rezultatit të KQZ-së, PDK-ja do të udhëheqë në Zubin-Potok, ngase kandidati i saj, Izmir Zeqiri, fitoi ngushtë ndaj kandidatit të VV-së, Flatron Hasani. Zeqiri mori 196 vota apo 52,1 për qind, kurse Hasani pati 180 vota apo 47,9 për qind.

Po ashtu, PDK-ja do ta ketë kryetarin e komunës edhe në Komunën e Zveçananit ku Ilir Peci mori 114 vota apo 60 për qind të votave, ndërsa Fetah Peci i VV-së mori 71 vota apo 37.4 për qind. Sllagjana Pantoviq, serbja e vetme që garoi në këto zgjedhje, mori gjithsej pesë vota apo 2,6 për qind.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e mbështetur nga Beogradi zyrtar, nuk aplikoi për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit për herë të parë që nga formimi i partisë më 2013, me arsyetimin se nuk janë plotësuar kërkesat e tyre formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe tërheqjen e pjesëtarëve të njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i vendit.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit u shpallën pasi kryetarët e këtyre komunave dhanë dorëheqje në nëntor për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e procesit të konvertimit të targave ilegale të automjeteve, të lëshuara nga Serbia.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın