Kosovë, kritikohen dënimet e ulëta për rastet e dhunës në familje
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se dënimi maksimal për dhunën në familje është me gjobë dhe me burgim deri në tre vjet ndërsa deri më tani askush nuk është dënuar me tre vjet burgim
Prishtinë
Zyra e Këshillit të Evropës në kuadër të projektit "Përafrimi i ligjeve dhe politikave me Konventën e Stambollit" ka organizuar tryezë diskutimi me temë "Thyerja e ciklit të dhunës: Integrimi i programeve për trajtimin e kryerësve të dhunës në familje si pjesë e dënimit", raporton Anadolu.
Në këtë diskutim u kritikuan dënimet e ulëta që janë duke u shqiptuar ndaj kryerësve të dhunës dhe u kërkua që institucionet e sigurisë dhe drejtësisë të kryejnë punët që u takon me ligj në mënyrë që viktimat të fitojnë besimin ndaj këtyre institucioneve.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se dënimi maksimal për dhunën në familje është me gjobë dhe me burgim deri në tre vjet ndërsa deri më tani askush nuk është dënuar me tre vjet burgim.
Ajo tha se bashkë me Këshillin e Evropës dhe organizatat partnere kanë punuar në adresimin e programit me qëllim të rehabilitimit të dhunuesve në familje, për shkak se deri vonë nuk ka pasur një program të tillë.
"Por, çfarë ka ndodhur është që, kryerësit e dhunës pas përfundimit të dënimit, janë kthyer në shoqëri me po të njëjtën mendësi dhe sjellje dhunuese. Në të kaluarën, asnjëherë në institucionet korrektuese nuk ka pasur programe me qëllim të rehabilitimit të dhunuesve dhe jo rrallëherë madje shumë herë kemi pasur raste të recidivizmit", theksoi Haxhiu.
Haxhiu theksoi se Programi kombëtar synon të transformojë sjelljet abuzive të njerëzve, të vetëdijësojë kryerësit e dhunës për pasojat e veprimeve të tyre dhe t'i mbajë ata përgjegjës.
Zëvendësshefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Tankut Soykan tha se janë të kënaqur me programin që ka hartuar Ministria e Drejtësisë, për sa i përket kësaj çështje.
Ai tha se programi mbështet viktimat dhe qëllimi është që të garantojnë siguri dhe mbështetje të viktimave.
"Është një program psiko-social që mban dhunuesit nën përgjegjësi për krimin që kanë kryer dhe u mëson atyre të ndalojnë sjelljen agresive dhe të ndërtojnë një raport ndërpersonal dhe respektues", theksoi Soykan.
Sipas Këshillit të Evropës, dhunë në familje konsiderohen "të gjitha aktet e dhunës fizike, seksuale, psikologjike ose ekonomike që ndodhin brenda familjes ose njësisë familjare ose midis ish-bashkëshortëve ose partnerëve të mëparshëm ose aktualë, pavarësisht nëse autori ka ose jo të njëjtin vendbanim me viktimën".
Në Kosovë, sipas statistikave të Policisë së Kosovës, numri i rasteve të raportuara të dhunës në familje është rritur gjatë viteve të fundit derisa mbi 80 për qind e të mbijetuarve të dhunës në familje, janë gra.