Agim Sulaj
02 Dhjetor 2022•Përditësim: 04 Dhjetor 2022
Në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, në Prishtinë u lansua Kurrikula për Programet e Trajtimit të Dhunës, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se dhuna në familje në Kosovë është një fenomen alarmant dhe kjo ndikuar nga “mendësia patriarkale dhe pabarazia në çdo sferë të shoqërisë tonë”.
Haxhiu tha se viktima të dhunës në familje zakonisht janë gratë dhe fëmijët.
“Rastet e dhunës në familje duhet të trajtohen me seriozitetin më të lartë nga institucionet e drejtësisë, kryerësit e këtij krimi duhet të ndiqen penalisht, të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre dhe të marrin dënime meritore. Dhe, kur jemi këtu, ne shohim që për shkak të mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë, vajzat dhe gratë në Republikën e Kosovës po vriten”, tha Haxhiu.
Ajo pyeti se edhe sa vajza dhe gra duhet të vriten që të këndellet sistemi i drejtësisë dhe gjykatat të shqiptojnë dënime meritore.
Ministrja Haxhiu tha se brenda muajit dhjetor do të fillohet menjëherë me trajnimin e trajnerëve për ofrimin e programeve për kryerësit e dhunës në familje bazuar në kurrikulë.
Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Frank Power, tha se përderisa Qeveria po e udhëheqë për herë të parë fushatën “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, shfaq përkushtimin e saj kundër dhunës.
Power tha se Këshilli i Evropës është shumë i lumtur për realizimin e projekteve të tilla në Kosovë.
“Kjo kurrikulë ofron bazën dhe themelin e krijimit dhe zhvillimit të Programit të Trajtimit të Dhunës në përputhje me standardet e Konventës së Istanbulit, si dhe me standardet ndërkombëtare”, theksoi Power.
“16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, është një fushatë e përvitshme globale që fillon me 25 dhjetor në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe vazhdon deri më 10 dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut. Kjo fushatë përdoret për të mobilizuar përpjekjet dhe për të avokuar, për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave.