BALLKANI

Kosovë, ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi jep dorëheqje nga detyra

“Me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit, po ju informoj se në mënyrë efektive ju ofroj dorëheqjen time”, ka shkruar Latifi

Agim Sulaj  | 06.10.2022 - Përdıtësım : 07.10.2022
Kosovë, ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi jep dorëheqje nga detyra Foto: Arkic / AA

Prishtinë

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit pas gati një viti që kur u emërua në këtë pozitë nga kryeministri Albin Kurti, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri Latifi, i cili ishte kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për udhëheqjen e Ministrisë së Shëndetësisë, ia ka paraqitur dorëheqjen kryeministrit Kurti në një letër e cila është publikuar nga mediat e Kosovës.

“Me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit, po ju informoj se në mënyrë efektive ju ofroj dorëheqjen time nga posti i ministrit të Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, që nga sot me datën 6 tetor 2022”, ka shkruar ai në letrën e dorëheqjes.

Bashkëngjitur me letrën e dorëheqjes, Latifi i ka dërguar kryeministrit Kurti edhe një përmbledhje të shkurtër “të të gjeturave, sfidave të ballafaquara si dhe të arriturat në këta dhjetë muaj si ministër”.

Latifi ishte emëruar ministër i Shëndetësisë më 16 nëntor 2021 duke e zëvendësuar Arben Vitinë që kishte konkurruar për kryetar të Komunës së Prishtinës në zgjedhjet e të njëjtit vit.

Opozita kosovare shumë shpesh e ka kritikuar ministrin Latifi për vizitat e tij të shpeshta jashtë Kosovës dhe menaxhim joadekuat të sektorit të shëndetësisë.

Së fundi, kryeministri Kurti themeloi edhe një Komision për Shëndetësinë, të cilin e udhëheq vetë ai.

Latifi ka qenë i angazhuar me detyrë publike edhe më herët. Ai në vitin 2009 ishte emëruar këshilltar për shëndetësi i kryeministrit të asaj kohe, Hashim Thaçi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın