Kosovë, Ministria e Arsimit do t’u transferojë para prindërve për blerjen e teksteve shkollore të fëmijëve
Ministrja Nagavci tha se prindërve do t‘iu duhet të aplikojnë në platformën online të Qeverisë “E-Kosova”, për sigurimin e të hollave për blerjen e teksteve shkollore për fëmijët e tyre

Prishtinë
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës ka njoftuar se do të ndahen mjete për prindërit e nxënësve në mënyrë që ato të shpenzohen për blerjen e teksteve shkollore, transmeton Anadolu.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, në një konferencë për media tha se furnizimi i nxënësve me tekste shkollore nga ministria ka qenë mjaft sfidues në vitet e mëparshme, për shkak se “ky proces ka qenë jo gjithmonë i drejtë dhe cilësor”.
Ajo theksoi se tani ministria ka menduar ta ndryshojë strategjinë dhe do të vendosë brenda pak ditëve për planin e ri për blerjen e teksteve shkollore për nxënësit.
“Sivjet jemi duke e shqyrtuar mundësinë që transferimi i mjeteve për sigurimin e teksteve shkollore, sipas obligimit ligjor të Ministrisë së Arsimit, të bëhet në llogari të prindërve dhe të njëjtit t’i blejnë tekstet për fëmijët e tyre. Shumë shpejt, brenda dy a tri ditëve, do të vendoset përfundimisht për këtë”, tha Nagavci.
Nagavci tha se përtej kësaj ministria ka punuar për mënyrën e aplikimit, ku theksoi se prindërve do t‘iu duhet të aplikojnë në platformën online të qeverisë “E-Kosova” për sigurimin e të hollave për blerjen e teksteve shkollore për fëmijët e tyre.
Ajo tha se janë shqyrtuar të gjitha mundësitë për tekste cilësore për nxënësit, por në anën tjetër edhe të bëhet kujdes në shpenzimin e buxhetit të shtetit.
Sa i përket kësaj, ministrja Nagavci tha se tashmë janë të gatshme edhe të dhënat e prindërve, të cilët aktualisht marrin shtesa për fëmijët e tyre nëpërmjet “E-Kosova” dhe njoftoi se pagesat do t’u bëhen atyre paraprakisht të cilat pastaj do të shpenzohen në blerjen e librave pa pasur nevojë që të ofrohen fatura.
Ndër të tjera, ajo foli edhe për përmbajtjen dhe cilësinë e teksteve shkollore ku tha se procesi i rishikimit të teksteve shkollore ka nisur me rekomandime të Institutit Pedagogjik dhe të Avokatit të Popullit.
Nagavci theksoi se gjetjet e këtyre dy institucioneve janë shumë të rëndësishme, si dhe shtoi se disa tekste shkollore kanë përmbajtje diskriminuese “sidomos për persona me nevoja të veçanta”.
Viti i ri shkollor në Kosovë pritet të nisë më 1 shtator.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.