BALLKANI

Kosovë, ministrja e Jashtme Gërvalla priti në takim homologen japoneze Kamikawa

Ministrja Gërvalla vlerësoi se kjo vizitë e parë e një ministri të Jashtëm të Japonisë në Kosovë është një moment historik në zhvillimin dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore

Agim Sulaj  | 19.07.2024 - Përdıtësım : 19.07.2024
Kosovë, ministrja e Jashtme Gërvalla priti në takim homologen japoneze Kamikawa Foto: Agim Sulaj/AA

Prishtinë

Për herë të parë në historinë e Kosovës së pavarur, sot ka mbërritur në një vizitë zyrtare në Kosovë Ministrja e Punëve të Jashtme të Japonisë, Yoko Kamikawa, raporton Anadolu.

Në 15 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Japoni, Kamikawa u prit gjatë ditës në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) nga ministrja Donika Gërvalla.

Në takimin e realizuar në MPJD, ministrja Gërvalla vlerësoi se kjo vizitë e parë e një ministri të jashtëm të Japonisë në Kosovë është një moment historik në zhvillimin dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore.

Gërvalla e njoftoi homologen Kamikawa me të arriturat e Kosovës në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit, lirive civile dhe të drejtave politike. Ajo gjithashtu theksoi edhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik nëpër të cilin po kalon Kosova në vitet e fundit dhe u shpreh e lumtur për pjesëmarrjen e Kosovës në EXPO 2025, e cila do të organizohet në Osaka të Japonisë.

Zv/kryeministrja Gërvalla theksoi se kjo ngjarje do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme e njohjes dhe lidhjes së bizneseve të të dyja vendeve, si domosdoshmëri e thellimit të bashkëpunimit ekonomik.

Gjithashtu, dy ministret shkëmbyen informacione mbi zhvillimet e fundit në rajonet përkatëse dhe nevojën e afrimit të vendeve demokratike, veçanërisht në kontekstin aktual gjeopolitik kur tendencat autokratike po rriten dhe po bëhen gjithnjë e më agresive.

Gërvalla njoftoi homologen Kamikawa mbi veprimet destabilizuese të Serbisë në rajon, duke përfshirë edhe rastin e agresionit të Serbisë në Kosovë nëpërmjet sulmit terrorist të 24 shtatorit, dhe vështirësitë e procesit të dialogut në Bruksel si rezultat i kësaj qasje të Beogradit.

Në përfundim, Gërvalla falënderoi ministren Kamikawa për mbështetjen e vazhdueshme që Japonia i ka dhënë Kosovës në fusha të ndryshme, si ndërtimin e institucioneve pas luftës së fundit dhe mbështetjen në arenën ndërkombëtare pas shpalljes së pavarësisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın