Kosovë, për herë të parë mbahet dialogu për transformimin e sistemit të ushqimit
Zv/ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Demelezi tha se definimi i sistemit aktual të ushqimit nuk është i lehtë, por “duhet të pranojmë se sistemi ushqimor yni nuk është sistem i qëndrueshëm”

Prishtinë
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në partneritet me Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT) dhe Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka organizuar për herë të parë në Kosovë “Dialogun për Sisteme Ushqimore”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë dialog morën pjesë një numër i madh i hisedarëve nga niveli qendror dhe lokal i qeverisjes, shoqëria civile, aktivistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme që lidhen me sistemin ushqimor.
Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi tha se definimi i sistemit aktual të ushqimit nuk është i lehtë, por “duhet të pranojmë se sistemi ushqimor yni nuk është sistem i qëndrueshëm”.
Demelezi tha se pandemia e COVID-19 e testoi këtë sistem ndërsa shfaqi globalisht se sa elastik në të vërtetë është ai.
“Një sistem që nuk mund t’i përgjigjet nevojave të njerëzve me ushqim të shëndetshëm nuk është sistem për shumicën. Ky sektor është transformuar drastikisht brenda 30 viteve të fundit. Në dekadën e kaluar sistemi ushqimor e kishte humbur balancin për shkak të operatorëve biznesorë dhe burimeve natyrore dhe jo gjithsecili kishte mundësi të dinte kualitetin e ushqimit të konsumuar”, tha ai.
Koordinatorja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për Zhvillim në Kosovë, Ulrika Richardson tha se debati i organizuar do të ketë qëllim të vepruarit në mënyrë që sistemi ushqimor të bëhet sa më gjithëpërfshirës, ku më konkretisht do të diskutohet për sigurinë e ushqimit, prodhimin e tij, konsumin, e të tjerë.
Nga përvojat personale të saj, Richardson tha se përgjatë punës së saj 25 vjeçare, ka parë popuj në varfëri të thellë dhe ajo çfarë ka vënë re se ka pabarazi në ushqim.
“Ata që kanë mundësi mund të ushqehen më shumë por edhe më shëndetshëm. Derisa një pjesë tjetër e popullsisë që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme, ushqimi që u servohet nuk është kualitativ dhe është shumë i lirë. Pra, nuk po flasim këtu shumë për mungesë të ushqimit, por është vërtetë e vështirë ta bësh industrinë e ushqimit më të barabartë dhe më të orientuar në aspektin etik”, tha ajo.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në një raport të vitit 2015 mbi barrën globale të sëmundjeve të shkaktuara nga ushqimi, thekson se në botë brenda vitit rreth 600 milionë njerëz sëmuren pas konsumimit të ushqimit të kontaminuar dhe rreth 420 mijë vdesin. Sëmundjet me origjinë ushqimore, sipas OBSH-së, prekin në veçanti fëmijët nën 5 vjeç si dhe personat që jetojnë në rajonet e varfra të botës.