Agim Sulaj
08 Dhjetor 2025•Përditësim: 08 Dhjetor 2025
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka prezantuar platformën digjitale “Integrity Watch Kosova”, nga të dhënat e së cilës do të bëhet i mundur monitorimi i integritetit në politikë, raporton Anadolu.
Në një konferencë ku u prezantua kjo platformë dhe ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore të Kosovës, përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian, përfaqësues të shoqërisë civile dhe gazetarë, u tha se kjo platformë është e para e llojit të saj në Kosovë.
Platforma mbledh, thjeshton dhe vizualizon të dhëna kyçe për integritetin politik, përfshirë financimin e subjekteve politike, prokurimin publik dhe deklarimet e pasurisë të zyrtarëve publikë.
Nicola Scaramuzzo nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Seksioni i Sundimit të Ligjit dhe të Drejtave të Njeriut, tha se korrupsioni politik ndodh në mënyra të ndryshme duke u mundësuar disa bizneseve favore.
Ai tha se luftimi i korrupsionit është në krye të agjendës evropiane. “Platforma do t’i shërbejë jo vetëm komunitetit publik në gjeneral, por edhe entiteteve specialistike, studentëve, hulumtuesve, të studiojë të dhënat e disponueshme dhe të nxjerrë përfundime lidhur me zbatimin ligjor”, tha Scaramuzzo.
Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, tha se transparenca është elementi kryesor për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit dhe kjo platformë ndihmon në këtë aspekt.
Ai tha se kjo platformë do ta ndihmojë edhe agjencinë për disa raste të korrupsionit.
“Ky mekanizëm bën ndërlidhjen e tri databazave të rëndësishme të cilat na japin një pasqyre të qartë për atë se si po shpenzohet paraja publike në Republikën e Kosovës dhe se si ajo mund të qarkullojë apo ndikojë në vendimmarrjen e cila mund të ketë edhe elemente të ndikimit në politikat publike”, tha Buleshkaj.
Buleshkaj tha se kjo platformë zbardhë emrat e individëve dhe bizneseve që kanë përfituar nga paraja publike në Kosovë dhe për atë se a ka ndikuar ky përfitim në vendimmarrjen e tij apo të atyre që janë të përfshirë.
Në vitin 2024, Kosova arriti një përmirësim modest por i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit: sipas raportit të Transparency International, ku vendi mori 44 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI), nga 41 pikë në vitin 2023, duke u renditur 73-ti prej 180 vendeve në rang botëror.