Kosovë, protestojnë punëtorët e Korporatës Energjetike
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica tha se vendimi për protestë u mor pasi takimet me menaxhmentin e ndërmarrjes nuk prodhuan zgjidhje për kërkesat punëtorëve
Prishtinë
Qindra punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) kanë mbajtur protestë para Zyrës qendrore të KEK-ut në sheshin e Prishtinës, për shkak të mospërmbushjes së kërkesave për rritje të pagës dhe pagesën e orëve gjatë fundjavës dhe të shtesës së rrezikshmërisë, raporton Anadolu.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica tha se vendimi për protestë u mor pasi takimet me menaxhmentin e ndërmarrjes nuk prodhuan zgjidhje për kërkesat punëtorëve.
Sipas tij, pagat janë rritur vetëm 70 euro gjatë këtyre viteve. "Të gjithë ata që mendojnë se pagat e punëtorëve të KEK-ut janë të larta, do t’i kisha lutur t’i sjellin fëmijët e tyre që të punojnë në KEK", theksoi Llumnica.
Ai shtroi edhe kërkesën tjetër që të paguhet rrezikshmëria në vendin e punës si dhe pagesa për punën gjatë fundjavës.
"Ne në KEK i përcjellim për botën tjetër mesatarisht 30 vetë në vit. Nuk ka vend në Kosovë as në Evropë, që ka rrezikshmëri më të lartë se sa tek punëtorët e KEK-ut", tha Llumnica, duke nënvizuar se menaxhmenti i KEK-ut asnjëherë nuk e ka bërë vlerësimin e rrezikshmërisë edhe pse një gjë e tillë është e paraparë me Ligjin e Punës.
Ai shtoi se do të vazhdojnë me protesta deri në realizimin e qëllimeve të tyre.
Pas paralajmërimit të protestës nga Sindikata e Re e KEK-ut, menaxhmenti i KEK-ut tha se ka shqyrtuar kërkesat e sindikalistëve, mirëpo ende nuk është bërë i ditur ndonjë vendim nga ana e tyre.