Kosovë, qytetarët nisin përgatitjet për festën e Bajramit
Dreka e ditës së Bajramit është ajo që familjet i kushtojnë rëndësi në këtë festë dhe për këtë, sipas tregtarëve, në tezgat e pazarit shitet më së shumti orizi, por edhe piperi i kuq dhe perimet

Prishtinë
Qytetarët në Kosovë kanë nisur përgatitjet për festën e Fitër Bajramit, raporton Anadolu.
Në pazarin e qytetit të Prishtinës, frekuentimi i qytetarëve është shtuar në prag të festës e cila vjen pas sakrificës së agjërimit njëmujor të muajit të Ramazanit.
Dreka e ditës së Bajramit është ajo që familjet i kushtojnë rëndësi në këtë festë dhe për këtë, sipas tregtarëve, në tezgat e pazarit shitet më së shumti orizi, por edhe piperi i kuq dhe perimet.
Gjithashtu, pas drekës, qytetarët i kushtojnë vëmendje blerjes edhe të gjërave të nevojshme që duhen për të bërë ëmbëlsirë dhe me këtë rast blejnë arra, rrush të thatë dhe shtesa të tjera.
Në këtë mes nuk harrohen edhe sheqerkat e vogla, të cilat u jepen fëmijëve që trokasin nëpër dyer për të kërkuar një dhuratë për ta.
Një numër jo i vogël i qytetarëve preferojnë që ëmbëlsirën e Bajramit ta blejnë të gatshme, sikurse në një prej ëmbëltoreve të qytetit, ku vetëm deri të premten para drekës, janë porositur tashmë mbi 100 tepsi bakllava.
Kosovarët ruajnë ende zakonet e vjetra të festimit të Bajramit, ku në këtë ditë vizitojnë familjarët dhe miqtë për urime.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.