BALLKANI

Kosova dhe Luksemburgu nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi për mbështetjen e sektorit privat

Pas nënshkrimit, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ky memorandum konfirmon marrëdhënien 25-vjeçare midis dy vendeve

Agim Sulaj  | 04.11.2024 - Përdıtësım : 04.11.2024
Kosova dhe Luksemburgu nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi për mbështetjen e sektorit privat Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Përfaqësues nga Republika e Kosovës dhe Luksemburgu nënshkruan sot në Qeverinë e Kosovës memorandum mirëkuptimi për mbështetjen e sektorit privat me dy fonde, raporton Anadolu.

Memorandumi i nënshkruar nga ministri i Punëve të Jashtme i Luksemburgut, Xavier Bettel, dhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, synon të sjellë projekte të reja që do të fuqizojnë lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Luksemburgut.

Pas nënshkrimit, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ky memorandum konfirmon marrëdhënien 25-vjeçare midis dy vendeve.

Ai tha se Luksemburgu ka investuar deri më tani rreth 100 milionë euro në Kosovë duke zhvilluar në progresin dhe zhvillimin shoqëror.

“Këto dy fonde synojnë të mbështesin sektorin privat vendor për të promovuar inovacionin dhe për të ndihmuar në arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm. Në vazhdën e memorandumit të sapo nënshkruar vijojnë përpjekjet tona të përbashkëta për të promovuar inovacionin brenda sektorit privat të Kosovës”, theksoi Bislimi.

Ai shtoi se zhvillimi i inovacionit në sektorin privat i ofron bizneseve dhe ndërmarrësve kosovarë mjetet që u duhen për të ecur me kohën në periudhën digjitale.

Ministri Bettel, tha se ky memorandum pasqyron përkushtimin e Luksemburgut për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt zhvillimit dhe integrimit.

“Mund të them se ky nuk është një shpenzim, por është një investim në njerëz, një investim në të ardhmen. Është gjithashtu një investim në rininë kosovare për të parë potencialin dhe që ata të jenë pjesë e këtij potenciali”, theksoi ai.

Ministri Bettel i cili tha se është pjesë e Qeverisë së Luksemburgut për 11 vjet, shtoi se Kosova ka partnerë të besueshëm, të cilët gjeografikisht mund të ndodhen afër apo edhe larg saj.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın