Agim Sulaj
03 qershor 2026•Përditësim: 03 qershor 2026
Republika e Kosovës ka dënuar sulmet iraniane kundër Kuvajtit dhe Bahreinit, transmeton Anadolu.
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Glauk Konjufca ka thënë se sulmet rrezikojnë sigurinë rajonale.
"Republika e Kosovës dënon fuqishëm sulmet e Iranit ndaj Kuvajtit dhe Bahreinit. Këto sulme kundër shteteve sovrane e rrezikojnë më tej sigurinë rajonale dhe minojnë përpjekjet e vazhdueshme për uljen e tensioneve dhe ruajtjen e stabilitetit në Gjirin Persik", shkroi Konjufca.
Ai shtoi se Kosova qëndron në solidaritet të plotë me Kuvajtin, Bahreinin dhe me shtetet partnere të Kosovës në Gjir, në mbështetje të paqes, sigurisë, lirisë së lundrimit dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare.
Sot në mëngjes Irani sulmoi me dronë Aeroportin Ndërkombëtar të Kuvajtit duke shkaktuar të lënduar, dëme materiale dhe pezullim të fluturimeve. Po ashtu, Forcat e Mbrojtjes të Bahreinit njoftuan se interceptuan dhe shkatërruan tri raketa iraniane dhe një numër dronësh që synonin lokacione "civile”.
Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit tha se kreu sulme ndaj bazave amerikane në përgjigje të sulmeve ndaj një tankeri iranian dhe ndaj ishullit Keshm në jug të Iranit sot herët.