BALLKANI

Kosova hap vendkalimet kufitare Merdarë dhe Bërnjak pasi largohen bllokadat

“Pas pranimit të njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë... morëm vendimin për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdarë dhe Bërnjak”, shkroi Sveçla

Ekip  | 07.09.2024 - Përdıtësım : 07.09.2024
Kosova hap vendkalimet kufitare Merdarë dhe Bërnjak pasi largohen bllokadat Foto: AA/Arkiv

Prishtinë

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se janë rihapur për qarkullimet pikat kufitare Merdarë dhe Bërnjak, transmeton Anadolu.

Përmes rrjeteve sociale, ministri Sveçla njoftoi rihapjen e pikave kufitare me Serbinë, bllokimi i të cilave erdhi pas protestave të djeshme të organizuara në pjesën jugore të Serbisë nga disa qytetarë dhe përfaqësues të shoqatave serbe.

“Pas pranimit të njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë dhe duke parë se nuk ka ndonjë pengesë për qarkullim nga dhe drejt pikave kufitare të Republikës së Kosovës, morëm vendimin për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdarë dhe Bërnjak”, shkroi Sveçla.

“Rend dhe ligj, paqe e siguri, cep më cep e në çdo kufi të Republikës tonë”, shtoi ai.

Javën e kaluar, qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti mori vendim për mbylljen e pesë institucioneve paralele serbe në katër komunat me shumicë serbe, për të cilat tha se vepronin në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e vendit, ndërsa pas kësaj punëtorët e atyre institucioneve paralele protestuan dy ditë kundër mbylljes së tyre.

Kjo masë dhe disa hapa të kohëve të fundit të ndërmarra nga qeveria kosovare kanë rritur tensionet, duke shkaktuar edhe protestat e fundit në anën serbe që çuan në bllokimin e pikave kufitare. Ata kërkonin që policia e Kosovës të tërhiqet nga veriu i Kosovës, KFOR-i të marrë kontrollin, si dhe të rihapen pesë institucionet serbe.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın