Prishtinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë një deklaratë me shkrim përmes së cilës shprehet se përshtatet me Deklaratën e Samitit BE-Ballkani Perëndimor, por me rezerva, transmeton Anadolu.
Sipas burimeve të mediave në Kosovë, në letrën e Osmanit, Kosova “shpreh zhgënjimin e saj pse Deklarata nuk dënon aktin e agresionit dhe terrorizmit ndaj Kosovës, të kryer më 24 shtator 2023 nga grupi paramilitar dhe terrorist, me mbështetje logjistike dhe politike nga Serbia”.
Gjithashtu, Kosova ka shprehur rezerva edhe për përmendjen e të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë, në Deklaratë, kur është në pyetje gatishmëria e tyre për implementimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Kosova argumenton se nuk mund të përmenden në këtë kontekst "të dyja palët" pasi Serbia e ka refuzuar atë edhe publikisht edhe përmes letrave dërguar BE-së dhe vendeve anëtare.
Në fund të letrës, presidentja Osmani tërheq vëmendjen se ka ndërmarrë hapat e duhur për uljen e tensioneve në veri dhe përkundër kësaj nuk janë hequr masat ndëshkuese ndaj Kosovës, e në anën tjetër nuk janë ndërmarrë masa ndaj Serbisë për aktet e përsëritura të agresionit.
Para fillimit të këtij samiti, presidentja kosovare në fjalën hyrëse e kritikoi Bashkimin Evropian se “është i padrejtë” ndaj Kosovës në politikat përballë Ballkanit Perëndimor, duke mos ia hequr masat ndëshkuese dhe duke mos treguar gatishmëri për ta shqyrtuar kërkesën e saj për anëtarësim në bllokun evropian.
Presidentja Osmani tha se “duket se ka tendenca nga disa shtete anëtare të BE-së, që Kosova vazhdimisht të dënohet”.
Pas përfundimit të samitit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e pyetur rreth kritikave të presidentes Osmani ndaj BE-së për trajtim jo të barabartë ndaj Kosovës, tha se Komisioni Evropian është i gatshëm për të përgatitur opinionin për status kandidati për Kosovën, si dhe të heqë masat ndëshkuese, por për këtë duhet unanimitet në Këshill.
“Jemi të gatshëm të nisim procesin, por na duhet një ftesë e Këshillit për të dalë me opinion. Po punojmë që ta marrim këtë dhe ne jemi gati. E njëjta vlen edhe për masat. Ne jemi absolutisht gati t’i heqim masat, por edhe këtu na duhet unanimiteti i vendeve anëtare të cilin tash nuk e kemi, por po punojmë shumë që ta marrim, sepse, gjithsesi, është me rëndësi që edhe Kosova të lëvizë përpara“, deklaroi von der Leyen.
Ky takim është theksuar si një mundësi për t'i dhënë vrull të ri partneritetit strategjik të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe për të shqyrtuar mënyrat se si mund të thellohet ky partneritet për të vazhduar rrugën drejt një të ardhmeje të përbashkët në BE.
Temat kryesore të samitit ishin forcimi i integrimit i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor me ndihmën e Planit të Rritjes, thellimi i angazhimit politik dhe bashkëpunimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor në disa fusha të politikave, ndër të tjera, në atë të jashtmen dhe të sigurisë.
Në Samitin BE-Ballkani Perëndimor morën pjesë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, kryetarja e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.