Zylfije Adem Jakupi
13 Mars 2020•Përditësim: 14 Mars 2020
Një shtetase italiane 20-vjeçare dhe një i moshuar 77-vjeçar shtetas kosovar janë dy raste e para të cilat kanë dalë pozitiv me koronavirus (COVID-19) në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Këtë e bëri të ditur në një konferencë urgjente për media, kryeministri Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP), Naser Ramadani.
Ministri Vitia tha se IKSHP, tashmë ka filluar me gjurmimin e të gjitha kontakteve të të dy pacientëve dhe janë marrë të gjitha masat e izolimit dhe vetëkarantimit të personave me të cilët të prekurit kanë qenë në kontakt.
"Pas kryerjes së analizave në laboratorin mikrobiologjik të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për koronavirus, për 15 raste të dyshimta, me COVID-19, dy raste kanë rezultuar pozitive. Pacientet e konfirmuar pozitiv gjendet të shtrirë në Klinikën Infektive të QKUK-së dhe gjendja e tyre shëndetësore rezulton të jetë stabile. Njëri nga të konfirmuarit pozitiv me COVID-19 është shtetase italiane e moshës 20-vjeçare, kurse pacienti i dytë është kosovar i moshës 77-vjeçar", tha Vitia.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri ftesë qytetarëve të Kosovës të mos bëjnë panik por t’i përmbahen udhëzimeve dhe masave parandaluese të rekomanduara nga institucionet shtetërore si dhe masave të marra nga Qeveria e Kosovës.
Kurti duke përsëritur masat individuale për parandalimin e përhapjes së virusit, tha se nuk mund të tregohen elementet rrethanore e vendore të qytetarëve të prekur, ngase me këtë rast qytetarët do të panikoheshin dhe krijonin trupa mbrojtës në mënyra vetanake.
"Sa i përket vendit e rrethanave dhe rrethit të këtyre dy personave, njëri me nënshtetësi italiane tjetri me kosovare, për shkak se nuk dëshirojmë që komuniteti të fillojë një lloj vetë-organizimi në mënyrë arbitrare. Kjo sëmundje është çështje shkence dhe qeverisja duhet të jetë shumë vigjilente që as njerëzit të mos e marrin me lehtësi sëmundjen, por as të mos e marrin këtë virus me ndonjë lloj paniku", tha Kurti.
Drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani tha se IKSHP i ka marrë të gjitha masat në bazë të vlerësimit të gatishmërisë dhe përgjigjes.
Ai tha se kanë përcjellë të gjitha rastet e dyshuara me koronavirus, ndërsa për të gjitha këto raste tha se kanë kontakte.
"Prej 8 shkurtit, në mënyrën më intensive të mundshme, kur kemi filluar edhe konfirmimin laboratorik të rasteve të dyshimta me koronavirus, ne i kemi të gjitha rastet e kontakteve të cilat i kemi gjurmuar në Aeroportin e Prishtinës dhe në të gjitha hyrje-daljet e kufijve të Kosovës", tha Ramadani.
Kosova është ndër vendet e fundit në Ballkan që është prekur me koronavirusin COVID-19. Deri më tani në Kosovë janë kontrolluar rreth 93 mostra të cilat kanë rezultuar si negative me këtë virus.