Agim Sulaj
05 Prill 2023•Përditësim: 06 Prill 2023
Policia e Kosovës në një konferencë për media ka paraqitur raportin tre mujor dhe statistikat analitike të trafikut rrugor në vend, raporton Anadolu.
Nënkolonel Jeton Rexhepi bëri të ditur se policia ka ndërmarrë shumë aktivitete që kanë të bëjnë me kontrollin e shpejtësisë, duke shtuar kështu patrullimet në teren.
Ai shtoi se në tre mujorin e parë të këtij viti janë shënuar 4 mijë e 248 aksidente, ndërsa tha se në përgjithësi numri i aksidenteve është në rënie krahasuar me tre mujorin e vitit të kaluar.
Nga këto aksidente nga muaji janar deri në muajin mars të vitit 2023 kanë vdekur 23 persona, ndryshe nga viti i kaluar ku në periudhë të njëjtë vdiqën 27 persona.
"Në periudhën janar-mars të këtij viti janë shënuar 4.248 aksidente në përgjithësi. Ku, prej këtyre aksidenteve sa i përket aksidenteve me fatalitet, kemi katër raste më pak apo rreth 18.8 për qind. Sa i përket personave të vdekur kemi katër raste më pak apo mbi 18 për qind. Sa i përket aksidenteve më dëme kemi më pak 292 raste apo 10 për qind", theksoi Rexhepi.
Sipas tij, numri i përgjithshëm i aksidenteve është në rënie për 280 raste apo 6.18 për qind në vitin 2023, krahasuar me vitin 2022, ndërsa numri i aksidenteve me lëndime është në rritje për 1.01 apo 16 raste më shumë se sa periduha e njëjtë e vitit të kaluar.
Sa i përket Ballkanit Perëndimor Rexhepi tha se Kosova për vite ka pasur një trend të rënies së aksidenteve me fatalitet, gjegjësisht me persona të vdekur, ndërsa shtetet tjera jo.
"Nëse i referohemi raportit të fundit i publikuar në shkurt të vitit 2023, Shqipëria shënon një rënie për 17 për qind ndërsa të gjitha shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor kanë rritje sa i përket gjendjes së sigurisë në trafikun rrugor me persona të vdekur. Kosova nga viti 2019 deri në vitin 2022 shënoi rënie të personave të vdekur/në 1 milionë banorë. Kështu që ne mund të themi lirshëm që edhe me shtetet e rajonit dhe në komunikimet dhe bashkëpunimet që kemi, kemi gjendje më të sigurt sa i përket numrit të aksidenteve me fatalitet", theksoi ai.
Zëdhënësi i Policisë në fund të konferencës njoftoi se Policia së shpejti do të hapë konkurs i cili mund t’ju dedikohet kryesisht minoriteteve (jo serbe) në Kosovë, por edhe shqiptarëve.