"Kosova pritet ta mbyllë vitin 2024 me rritje ekonomike prej 4.3 për qind"
"Remitancat, që përbëjnë një burim të rëndësishëm për ekonominë e vendit, kanë arritur në 1.1 miliardë euro deri në tetor dhe pritet të përfundojnë vitin në 1.3 miliardë euro", tha guvernatori Ismaili
Prishtinë
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili ka thënë se viti 2024 pritet të mbyllet me rritje ekonomike prej 4.3 për qind, raporton Anadolu.
Në konferencën përmbyllëse të vitit me gazetarë, guvernatori Ismaili duke folur për sektorin financiar në vend për vitin 2024, tha se rritje është shënuar edhe në kreditë te qytetarët, me rreth 15.7 për qind më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
"Gjithsej, kreditë në nëntor 2024 kanë arritur në 5.668 miliardë euro, duke regjistruar një rritje prej 768.9 milionë euro në krahasim me dhjetorin e vitit 2023", tha Ismaili.
Lidhur me inflacionin ekonomik, guvernatori tha se shkalla mesatare e tij për vitin 2024 ka qenë 1.6 për qind, nivel i cili pritet të mbetet edhe gjatë vitit 2025. Ismaili tha se gjithashtu rritje është shënuar edhe në remitenca, apo para që hyjnë në Kosovë nga diaspora.
"Remitancat, që përbëjnë një burim të rëndësishëm për ekonominë e vendit, kanë arritur në 1.1 miliardë euro deri në tetor dhe pritet të përfundojnë vitin në 1.3 miliardë euro", theksoi ai, duke shtuar se liberalizimi i vizave për kosovarët gjatë vitit 2025, ka qenë një ndër faktorët e kësaj rritjeje.
Guvernatori Ismaili vlerësoi se sistemi financiar në vend është i qëndrueshëm, stabil, likuid dhe mirë i kapitalizuar, cilësia e aseteve është e duhura, gjithëpërfshirja dhe qasja financiare e qytetarëve është avancuar.
Në këtë ngjarje po ashtu është bërë ndarja e Çmimit të BQK-së "Ekonomisti i ri", ku me qëllim të nxitjes dhe motivimit për aktivitetin hulumtues me punimet e tyre.