Kosova voton: Mbahen zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që nga shpallja e pavarësisë
1.970.944 votues do të mund të votojnë sot brenda Kosovës, nga ora 7:00 e mëngjesit deri në orën 7:00 të mbrëmjes

Prishtinë
Ka filluar në Republikën e Kosovës procesi i votimit në zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që nga periudha e shpalljes së pavarësisë, raporton Anadolu.
- Zgjedhjet parlamentare në Kosovë: Voton kryeministri Albin Kurti
- Zgjedhjet parlamentare në Kosovë: Voton presidentja Vjosa Osmani
- Kosovë, votojnë liderët opozitarë
- Zgjedhjet parlamentare në Kosovë: Deri në ora 11:00 votuan 8,58 për qind e votuesve
Numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 2.075.868 votues, prej të cilëve 1.970.944 janë votues që do të mund të votojnë sot brenda Kosovës, nga ora 7:00 e mëngjesit deri në orën 7:00 të mbrëmjes.
Sa i përket votimit nga jashtë Kosovës, të drejtë vote kishin 104.924 qytetarë të cilët jetojnë në diasporë, me mundësi për ta ushtruar këtë të drejtë nga data 9 janar deri më 8 shkurt.
Për herë të parë në Kosovë janë regjistruar 125.852 votues të rinj.
Numri i qendrave të votimit të cilat do të hapen sot janë 941, prej të cilave 903 për votimin e rregullt, me gjithsej 2.533 vendvotime, dhe 38 qendra të votimit për votimin me kusht (nga një për çdo komunë), me gjithsej 56 vendvotime.
Gjithsej 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) janë pjesë e garës zgjedhore. Në mesin e 28 subjekteve politike janë 20 parti politike, pesë koalicione, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.
Numri i vëzhguesve të subjekteve politike në këtë proces zgjedhor është mbi 18 mijë. Ndërkaq, procesi do të monitorohet edhe nga mbi 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian, të cilët vijnë nga 18 vende të ndryshme të BE-së, me qëllim të “ruajtjes së standardeve demokratike”, me ftesë nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Rezultatet preliminare të procesit zgjedhor pritet të bëhen publike rreth mesnatës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.