Agim Sulaj
04 Qershor 2021•Përditësim: 05 Qershor 2021
Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit një person i infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) ka vdekur, duke bërë që numri i përgjithshëm i viktimave nga ky virus të shkojë në 2.244, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), vendi ka regjistruar shtatë raste të reja me koronavirus, me çka numri i tyre ka shkuar në gjithsej 107.466.
Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK dhe laboratoret private janë testuar gjithsej 2.295 mostra të dyshuara për COVID-19.
Po ashtu 147 pacientë të tjerë janë shëruar nga virusi, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 103.711, ndërkohë numri i rasteve aktive me COVID-19 është 1.511.
Sa i përket procesit të vaksinimit, në 24 orët e fundit janë administruar 2.915 doza të vaksinës kundër COVID-19, ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë administruar 75.553 doza të vaksinës.