Agim Sulaj
22 korrik 2022•Përditësim: 24 korrik 2022
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës në raportin 24-orësh ka njoftuar se një person i infektuar me COVID-19 ka ndërruar jetë, derisa numri i përgjithshëm i tyre ka shkuar në 3.156, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) 1.390 qytetarë të tjerë janë infektuar me koronavirus, me çka numri i tyre ka arritur në 242.896.
Në 24 orët e fundit në institucionet shëndetësore janë testuar gjithsej 3.716 mostra të dyshuara për COVID-19 ndërsa deri më tani janë bërë gjithsej 1.886.524 teste.
Të dhënat e fundit njoftojnë për 871 persona të tjerë që kanë fituar betejën kundër COVID-19. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka arritur në 230.510, ndërsa numri i rasteve aktive me COVID-19 është 9.230.
Sa i përket procesit të vaksinimit, gjatë 24 orëve të fundit janë dhënë 218 doza të vaksinës ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.833.366 doza të vaksinës. Deri më sot 824.086 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.